Michael Gabriel Hernandez
26 Shtator 2022•Përditësim: 27 Shtator 2022
SHBA u ka bërë thirrje aleatëve të saj NATO-s, Greqisë dhe Türkiyes, që të “punojnë së bashku” për të garantuar paqen dhe sigurinë rajonale, pasi Ankaraja tha se Athina shkeli ligjin ndërkombëtar, raporton Anadolu Agency (AA).
“Tani nuk është koha për deklarata apo veprime që mund të rrisin tensionet midis aleatëve të NATO-s. Ne inkurajojmë aleatët tanë të zgjidhin në mënyrë diplomatike çdo mosmarrëveshje që mund të kenë. Ne mendojmë se duhet të qëndrojmë të fokusuar në atë që është një kërcënim kolektiv për të gjithë ne dhe ky është agresioni i Rusisë”, u tha gazetarëve Ned Price, zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Dronët ushtarak turq regjistruan vendosjen e automjeteve të blinduara greke në ishujt Midilli (Lesvos) dhe Sisam (Samos), për të cilat Ankaraja thekson se është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Pamjet u publikuan të dielën.
Sot, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme, Türkiye thirri ambasadorin grek dhe i kërkoi që t’i jepet fund shkeljeve në ishujt e Egjeut dhe për rivendosjen e statusit të tyre jo-ushtarak.
Në shënim, ministria turke tha se rivendosja ishte një tjetër shkelje e detyrimeve të Greqisë sipas Traktatit të Lozanës së vitit 1923 dhe Traktatit të Parisit të vitit 1947.
Këta ishuj duhej të çmilitarizohen sipas Traktatit të Lozanës dhe Traktatit të Parisit, kështu që çdo trup apo armë në ishuj është rreptësisht e ndaluar.