Kasım İleri
10 Maj 2023•Përditësim: 10 Maj 2023
SHBA-ja dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në luftën kundër dezinformimit dhe manipulimit të informacionit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së thuhet se "Pas takimit të zhvilluar më 8 maj 2023 me Sekretarin amerikan të Shtetit, (Antony) Blinken, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe përfaqësuesit special dhe koordinatorit të Qendrës për Angazhim Global pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, James P. Rubin u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi mes dy aleatëve të NATO-s për bashkëpunim në luftën kundër manipulimit të informacionit".
"Ky memorandum është pjesë e hapave të hedhur menjëherë pas bisedimeve që delegacionet e dy vendeve zhvilluan më 11 prill 2023 në Shkup. Gjatë këtyre bisedimeve të dy palët shprehën shqetësimin se Rusia dhe disa vende të tjera po përdorin dezinformimin për të dobësuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare. Memorandumi i ri i mirëkuptimit do të mundësojë bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër dezinformimit dhe informacionit të gabuar, për të mbrojtur proceset demokratike dhe për të krijuar ekosisteme të qëndrueshme informacioni", thuhet në deklaratë.