Kasım İleri
18 Nëntor 2021•Përditësim: 18 Nëntor 2021
Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin tha se janë të shqetësuar nga grumbullimi ushtarak i Rusisë në kufirin e Ukrainës dhe se nuk e dinë plotësisht se çfarë po përpiqet të bëjë presidenti rus, Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sekretari Austin në një konferencë për media lidhur me Rusinë tha: "Këtu ka dy çështje. E para, grumbullimi ushtarak në kufirin e Ukrainës dhe tjetra testimi i Rusisë duke goditur satelitin e saj. Që të dy këto veprime nuk kontribuojnë për mjedisin aktual të sigurisë dhe na jep shqetësim të thellë. Për këtë i bëjmë thirrje Rusisë të veprojë më me përgjegjësi dhe të tregohet më transparente lidhur me grumbullimin në kufirin e Ukrainës".
Duke informuar se lidhur me grumbullimin në kufirin e Ukrainës bisedon rregullisht me Todd Wolters, komandantin e Komandës Evropiane të SHBA-së (EUCOM), Austin tha: "Në të vërtetë, ne nuk e dimë saktësisht se cili është qëllimi i Putinit" .
Austin përsëriti se ndodhen pranë Ukrainës. "Rusia e cila shkatërroi satelitin e saj do të lërë një rrjedhë të rëndësishme në hapësirë, gjë e cila përbën një kërcënim për satelitët në hapësirë dhe se ata janë kundër armatosjes në hapësirë", tha sekretari amerikan i Mbrojtjes.
- "Aktivitetet e rrezikshme të Iranit shqetësojnë të gjithë"
Ai tha se Irani ditët e fundit ka provokuar anijet e SHBA-së. Në pyetjen se cila është vija e kuqe dhe kufiri i durimit të SHBA-së për këtë çështje, Austin u shpreh se nuk është e dobishme të flitet për vija të kuqe por që aktivitetet e rrezikshme të Iranit ndikojnë dhe i shqetësojnë të gjithë.
"Ashtu sikur e kam thënë edhe më parë nuk ngurrojmë të mbrojmë interesat dhe partnerët tanë. Ne jemi të përkushtuar dhe të aftë për këtë. Ne përpiqemi të jemi gjithmonë të matur, por askush të mos mendojë se nuk do të mund të mbrojmë veten, interesat dhe partnerët tanë", shtoi Austin.
- "Jam i vendosur të riorganizoj procedurën dhe politikat tona në çështjen e sulmeve ajrore"
Sekretari Austin iu përgjigj edhe pyetjeve lidhur me humbjet e jetëve civile të shkaktuara nga SHBA-ja me sulmin ajror që ndërmori më 29 gusht në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul dhe sulmin ajror në vitin 2019 në rajonin Baghuz të Sirisë. "Çdo humbje civile është një tragjedi. Por, nuk kam dyshim se mund të punojmë dhe duhet të punojmë më shumë", potencoi Austin.
"Jam i vendosur të riorganizoj procedurën dhe politikat tona në mënyrë që të zhvillojmë veten tonë për këtë çështje dhe me këtë politikë do të mbaj përgjegjës të gjithë zyrtarët e nivelit të lartë në çështjen se procedurat janë zbatuar ashtu si duhet", tha Austin.
Ai nuk dha ndonjë deklaratë për civilët që humbën jetën në sulmin që ata kryen më 18 mars 2019 në Siri.