Esin Eşkinat Sayılgan
14 Tetor 2021•Përditësim: 14 Tetor 2021
Numri i vdekjeve nga pasojat e mbidozës me drogë në SHBA ka tejkaluar 96.000 në 12 muaj, që është një rekord i ri në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Raporti i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tregon se vdekshmëria nga mbidoza me drogë në vend është rritur me 29,6 për qind nga marsi i vitit 2020 deri në muajin e njëjtë të këtij viti.
Raporti thotë se 96.779 persona kanë vdekur në këtë periudhë për shkak të mbidozës me drogë.
Rritja më e madhe e vdekshmërisë nga mbidoza me drogë në një vit u regjistrua në shtetin Vermont, rreth 85 për qind.
Vdekjet nga mbidoza u shkaktuan kryesisht nga përdorimi i opioideve dhe opioideve sintetike, ndërsa numri më i ulët i vdekjeve u raportua te përdoruesit e metadonit.
CDC njoftoi se më shumë se 93.000 persona kanë vdekur gjatë vitit 2020 për shkak të mbidozës me drogë.
Sipas të dhënave jozyrtare, rreth 31,9 milionë njerëz mbi moshën 12-vjeç në SHBA (11,7 për qind) përdorin një lloj droge të paligjshme.