Ekip
24 Maj 2022•Përditësim: 25 Maj 2022
Të paktën 21 persona, përfshirë 18 fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e sulmit në një shkollë në Teksas të SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
Senatori i Teksasit, Roland Gutierrez, në një deklaratë për CNN vuri në dukje se policia e rajonit e ka informuar për situatën e fundit dhe se sipas kësaj deri më tani kanë humbur jetën 21 persona, përfshirë 18 fëmijë, 2 të rritur dhe agresori.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott në një konferencë për media pas sulmit njoftoi për humbjen e jetëve të 14 fëmijëve dhe 1 të rrituri.
Zbulohet identiteti i agresorit
Mësohet se Salvador Ramos (18) i cili kreu sulm me armë ndaj shkollës fillore "Robb" në rajonin Uvalde, u neutralizua në përleshjen e armatosur me policinë.
Sipas mediave, Ramos jetonte në të njëjtin rajon dhe ishte nxënës në një shkollë të mesme pranë shkollës fillore ku organizoi sulmin, ndërkohë ende nuk është bërë ndonjë deklaratë lidhur me arsyen e ngjarjes.
Sulmi në fjalë është regjistruar si sulmi shkollor më vdekjeprurës në historinë e Teksasit dhe theksohet se është sulmi i dytë më i madh në vend pas atij në shkollën "Sandy Hook" në Connecticut në vitin 2012 ku u vranë 28 persona.
Ndërkohë nuk është ndarë ende informacioni lidhur me identitetin e 18 nxënësve që u vranë në shkollën fillore "Robb" në të cilën ndodhen rreth 600 nxënës vetëm të klasave të 2, 3 dhe të 4.
Bëhet e ditur se autoritetet e sigurisë federale dhe kombëtare vazhdojnë inspektimet në vendin e ngjarjes lidhur me sulmin.
Biden do të japë deklaratë
Theksohet se presidenti i SHBA-së, Joe Biden është informuar vazhdimisht në avionin e tij gjatë kthimit nga vizita në Azi dhe se do të japë një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë kur të mbërrijë në Washington.
Më tej thuhet se edhe zv.presidentja Kamala Harris është njoftuar lidhur me ngjarjen dhe se flamujt në Shtëpinë e Bardhë janë ulur në gjysmështizë.
Senatori republikan i Teksasit, Ted Cruz që do të mbante një fjalim në kongresin vjetor që do të zhvillojë në fundjavë Unioni Kombëtar i Pushkëve (NRA) lobi më i madh i armëve në vend, shkroi në Twitter: "Sot është një ditë e errët". Në postimin e tij, Cruz nuk ka shprehur mendim lidhur me ndryshimin e politikës për çështjen e dhunës dhe shitjes së armëve.
Reagime nga sindikatat e mësuesve
Shoqatat Kombëtare të Arsimit dhe Shoqata e Mësuesve të Teksasit në një deklaratë të përbashkët theksuan se "Shkollat e shtetit duhet të jenë një nga vendet më të sigurta për nxënësit dhe mësuesit. Edhe sa sulme masive duhet të kryhen që politikanët në fund të marrin përgjegjësi për të zgjidhur problemin e sigurisë për armët?".
Ndërsa Randi Weingarten, kryetarja e Federatës së Mësuesve Amerikane, duke reaguar ndaj sulmit tha se "Vetëm në këtë vend prindërit nuk janë të sigurt se fëmijët e tyre do të jenë të sigurt në shkollë".
Sipas CNN, me përjashtim të sulmit të fundit të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 51 të tjerë janë plagosur në 38 sulme të armatosura në institucionet arsimore të kryera që nga fillimi i vitit të ri e deri më tani në vend.