Kasım İleri
23 Shkurt 2022•Përditësim: 23 Shkurt 2022
Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së (Pentagon) njoftoi se pas hapave të Rusisë në Ukrainë do të zhvendosë në vendet baltike dhe Poloni një pjesë të forcave amerikane të vendosura në vende të ndryshme të Evropës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pasi presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se do të zhvendosin disa nga forcat e tyre në Evropë, edhe nga Pentagoni ka ardhur një shënim informativ që detajon këtë deklaratë.
Një zyrtar i lartë i Pentagonit në një deklaratë për gazetarët tha: "Këto forca që përbëhen nga forcat ajrore dhe tokësore do të lëvizin në ditët e ardhshme në krahët verilindore dhe juglindore të NATO-s brenda zonës së operacionit të Forcave Evropiane të SHBA-së (EUCOM) dhe brenda kësaj jave pritet të vendosen në vendet e tyre".
Duke dhënë detajet e këtyre forcave, zyrtari dha këto informacione: "Nga Italia në rajonin e Baltikut do të zhvendoset një batalion prej rreth 800 persona. Nga Gjermania do të dërgohen në pika të operacioneve të ndryshme në krahun lindor të NATO-s deri në 8 avionë F-35. Nga Gjermania në rajonin e Baltikut do të zhvendoset një batalion sulmues ajror i përbërë nga 20 helikopterë AH-64
"Drejt Polonisë do të zhvendoset nga Greqia një batalion sulmues ajror i përbërë nga 12 helikopterë AH-64. Ky personel shtesë po ripozicionohet sërish për t'i dhënë siguri aleatëve të NATO-s, për të parandaluar ndonjë agresivitet të mundshëm ndaj shteteve të NATO-s dhe për të trajnuar forcat e vendeve pritëse", tha zyrtari i Pentagonit.
Presidenti rus Vladimir Putin, një ditë më parë njoftoi se njohin të ashtuquajtura republikat popullore të Donetskut dhe Luhanskut të separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.
Në të njëjtën kohë Putin dha urdhër edhe për vendosjen e ushtrisë ruse në këto rajone.
Presidenti amerikan Biden i cili kundër kësaj deklarate të Putinit vendosi sanksione të ndryshme ndaj Rusisë tha se ata do të zhvendosin në krahun lindor të NATO-s disa nga trupat amerikane të stacionuara në Evropë.
Biden ka thënë se këto forca nuk do të zhvendosen me qëllim për të hyrë në konflikt me Rusinë por janë dërguar vetëm për t'u dhënë siguri aleatëve të NATO-s.