Adel Abdelrheem
06 korrik 2026•Përditësim: 06 korrik 2026
Të paktën 15 punëtorë kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së një miniere ari në veri të Sudanit, transmeton Anadolu.
Kompania Sudaneze e Burimeve Minerare tha se shembja ndodhi në minierën Mohamed Tawfiq, në zonën Samna të rrethit Wadi Halfa, në Shtetin Verior.
Sipas kompanisë, një punëtor mbeti i plagosur nga shembja dhe u dërgua në spital për trajtim, ndërsa trupat e viktimave iu dorëzuan familjeve pas përfundimit të procedurave të nevojshme.
Kompania tha se dërgoi menjëherë ekipe në terren pas shembjes dhe u koordinua me autoritetet lokale dhe ekipet e shpëtimit për të zhvilluar operacionet e kërkim-shpëtimit dhe nxjerrjen e viktimave.
Hetimet paraprake treguan se aksidenti ndodhi pasi një grup minatorësh hynë në vendngjarje, pavarësisht se ajo ishte mbyllur.
Kompania shtoi se Departamenti për Mjedisin dhe Sigurinë e kishte mbyllur më herët vendin dhe kishte lëshuar paralajmërime të qarta që ndalonin hyrjen, pasi vlerësimet teknike kishin konstatuar se miniera ishte e pasigurt dhe rrezikonte të shembej.
“Disa minatorë hynë në vend në kundërshtim me këto udhëzime, duke çuar në shembjen e një pjese të minierës”, tha kompania.
Kompania bëri të ditur se ka dërguar një delegacion teknik për të hetuar rrethanat e aksidentit, për të shqyrtuar procedurat e sigurisë dhe për të forcuar masat parandaluese.
Sektori i minierave artizanale në Sudan punëson mbi 2 milionë njerëz në mbarë vendin, shpesh në kushte të vështira dhe përbën rreth 80 për qind të prodhimit të përgjithshëm të arit në vend.
Megjithëse Sudani e lejon minierën artizanale, autoritetet janë përpjekur ta rregullojnë këtë sektor për shkak të shqetësimeve për sigurinë. Pavarësisht rreziqeve, ai mbetet një burim i rëndësishëm punësimi për shumë sudanezë.
Ari është bërë burimi kryesor i valutës së huaj për Sudanin që nga shkëputja e Sudanit të Jugut në vitin 2011, kur Khartumi humbi rreth tre të katërtat e të ardhurave nga nafta dhe afërsisht 80 për qind të të ardhurave nga valuta e huaj.