Nuri Aydın
18 Nëntor 2022•Përditësim: 18 Nëntor 2022
Pas thirrjes që pronari i ri i Twitter-it, Elon Musk u bëri punonjësve që të jenë të gatshëm të punojnë me orë të zgjatura ose të largohen, shumë prej tyre kanë filluar të dalin nga kompania, transmeton Anadolu Agency (AA).
Portali "The Verge", i cili merret me lajme nga bota e teknologjisë, bëri të ditur se mesazhet për largimin nga puna të punonjësve të shumtë janë komunikuar përmes Slack, një kanal për komunikim të brendshëm në Twitter.
"Kështu, pas 12 vitesh u largova nga Twitter-i", ka shkruar inxhinieri Satanjeev Banerjee.
Një punonjës tjetër shkroi se ai "përfundoi punën në Twitter 1.0" dhe se "nuk dëshiron të jetë pjesë e Twitter-it 2.0".
"Nga ky vend po largohen të gjithë ata që e bënë të veçantë. Stafi që mbetet, sado që të punojë, do ta ketë të vështirë të shpëtojë Twitter-in", ka shkruar një nga punonjësit.
Nga ana tjetër, gazeta "The New York Times" njoftoi se Musk u takua me "punonjësit, puna e të cilëve është kyçe" dhe u përpoq të parandalojë largimin e tyre.
"Me padurim presim të punojmë me ju në të ardhmen emocionuese të Twitter-it", shkroi ai në një mesazh për disa punonjës që publikoi CNN.
"The New York Times" raportoi se Twitter për shkak të largimit të punonjësve mbylli përkohësisht zyrat e saj ndërsa në një njoftim tjetër thuhet se zyrat do të hapen më 21 nëntor, por nuk dihen detaje për arsyet e mbylljes.
Të mërkurën, kur Musk u bëri thirrje punonjësve që të përgatiten për orë të gjata ose të largoheshin brenda 36 orëve, kompania kishte 2.900 punonjës.
Musk në një e-mail shkroi se ata që do të largohen do të marrin kompensim në vlerën e të paktën tre pagave.