Ministria e Shëndetësisë në Spanjë ka korrigjuar të dhënat e saj zyrtare sot, duke raportuar 585 vdekje të reja nga koronavirusi i ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm zyrtar në vend është 19.478 të vdekur, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne po mundohemi t'i korrigjojmë të dhënat në mënyrë që të jenë koherente. Ne patëm një mospërputhje me një qeveri rajonale, kështu që ne duhej t'i korrigjonim", tha në një konferencë për media Fernando Simon, epidemiologu kryesor i Spanjës.
Me korrigjimet e bëra, numri i të shëruarve tani është 72.963.
Spanja sot ka regjistruar edhe 5.252 raste të reja të infektimit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në mbi 188 mijë. Simon paralajmëroi se të dhënat ishin "shtrembëruar" sepse vendi tani po kryente mijëra teste të shpejta të antitrupave.
Këtë javë, disa rajone të Spanjës filluan të raportojnë numrin e vdekjeve të dyshuara nga COVID-19. Këto të dhëna sugjerojnë se numri i vërtetë i vdekjeve nga koronavirusi në Spanjë mund të jetë dukshëm më i lartë se afro 19.500 sa janë raportuar.
Ministria e Shëndetësisë së Katalonjës tani vlerëson se më shumë se 7.500 njerëz kanë vdekur në këtë rajon për shkak të COVID-19, gati dyfishi i numrit të përfshirë në statistikat zyrtare të Spanjës.
Rajoni i Asturias në veri të Spanjës ka publikuar të dhëna në lidhje me vdekjet e dyshuara nga COVID-19 në shtëpitë e pleqve. Qeveria rajonale vlerëson se në këto rezidenca për qytetarët e moshuar, sëmundja ka shkaktuar edhe 100 vdekje të tjera përpos 174 viktimave të konfirmuara zyrtarisht.
Qeveria spanjolle nxorri një dekret duke urdhëruar qeveritë rajonale të raportojnë informacione më të hollësishme, por vetëm për raste të konfirmuara me anë të testimit mjekësor.
Edhe pa i shtuar këto vdekje të dyshuara në numrin zyrtar të vdekjeve të Spanjës, vendi ka nivelin e vdekjes më të lartë për kokë banori nga COVID-19 në botë.
Kina gjithashtu publikoi numra të korrigjuar në lidhje me vdekjet totale nga COVID-19 në Wuhan, ku virusi u raportua fillimisht në fund të vitit 2019. Duke numëruar pacientët që vdiqën në shtëpi para se të arrinin në spital dhe ata që vdiqën në spitale por që nuk ishin testuar, numri i rishikuar i vdekjeve u rrit për rreth 50 për qind, duke shkuar në 3.869.
Spanja ka qenë në një bllokim rigoroz për më shumë se një muaj dhe me gjasë do të vazhdojë të jetë deri në mas të muajit maj.
Edhe pse këtë janë u hoqën disa kufizime në aktivitetin ekonomik jo thelbësor, si industria dhe ndërtimtari, shumica e popullsisë mbetet e izoluar në shtëpitë e tyre.
Fëmijët që nuk kanë nevojë të shkojnë në supermarket ose farmaci kanë qenë plotësisht të mbyllur brenda, me disa përjashtime. Ministria e Shëndetësisë dje tha se qeveria po studion ende evoluimin e virusit dhe "sa më shpejt që të jetë e mundur, fëmijët do të jenë në gjendje të dalin jashtë në një mënyrë të organizuar".
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur pandemi globale.
Bazuar në të dhënat nga Universiteti "Johns Hopkins" me qendër në SHBA, koronavirusi ka infektuar pothuajse 2.2 milionë njerëz, me rreth 146 mijë vdekje dhe rreth 556 mijë të shëruar.