ANKARA (AA) - Sudani i Jugut po ballafaqohet me një krizë të rëndë urie për shkak të luftës civile që solli pas vetes thatësirat dhe kriza politike që përfshiu vendin që nga viti 2011, shkruan Anadolu Agency (AA).
Thatësira dhe uria që kanë përfshirë veçanërisht rajonin verior të vendit, kanë prekur përafërsisht pesë milionë njerëz.
Në pamundësi për t'i përmbushur nevojat themelore, siç është ushqimi dhe barnat, sudanezo-jugorët janë detyruar të strehohen në shtetet fqinje.
Aktualisht, numri i refugjatëve që janë larguar nga Sudani i Jugut drejt vendeve fqinje ka kaluar mbi 1.5 milion. Kriza e urisë ka prekur pothuajse gjysmën e popullsisë së vendit, ndërkohë që janë rritur shqetësimet se ajo mund të përhapet nëse nuk dërgohen ndihma ushqimore nga komuniteti ndërkombëtar.

Prej dy vitesh, Uganda strehon 698 mijë refugjatë nga Sudani i Jugut, Etiopia 342 mijë, Sudani 305 mijë, Kenia 89 mijë ndërsa Republika Demokratike e Kongos 68 mijë.
Lufta civile vështirëson ekonominë
Jostabiliteti politik në vend, lufta civile që ka marrë jetën e më shumë se 50 mijë njerëzve dhe luftimet që vazhdojnë mes fiseve, kanë shkaktuar që Sudani i Jugut të shpenzojë pjesë të madhe të të ardhurave në mbrojtje dhe ushtri.
Sipas hulumtimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), Sudani ka ushtri dy herë më të madhe sesa ajo që duhet të ketë. Ndarja e një pjese të konsiderueshme të buxhetit për ushtrinë vështirëson edhe më tej sigurimin e jetesës për popullatën e Sudanit të Jugut e cila veçmë gjendet në situatë mjaft të vështirë.
Kjo gjendje po ashtu është bërë pengesë për investime shtetërore në sektorë si shëndetësia, ushqimi dhe arsimi, gjë që e ka bërë thuajse të pamundur luftën kundër krizës së urisë.
Sudani i Jugut, vend i pasur me naftë
Megjithëse Sudani i Jugut, i pavarësuar nga Sudani në vitin 2011, mbështet ekonominë në të ardhurat nga nafta, në vend nuk ka institucione dhe insfrastrukturë që përpunojnë naftën e nxjerrë. Vendi ende varet nga Sudani për sa i përket përpunimit të naftës. Po ashtu, në Sudanin e Jugut, vend ky i pasur me naftë, ekzistojnë edhe investime të gjera kineze.
Edhe krahas pasurive nëntokësore dhe tokave të volitshme për punë, popullata e Sudanit të Jugut ballafaqohet me vështirësi të sigurojë ushqimin. Në këtë vend, aktualisht 4.9 milionë njerëz presin ndihmë emergjente.
Nga ana tjetër, Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së në vitin 2015 kishte paralajmëruar për një rrezik nga thatësira në Sudanin e Jugut.
Teksa OKB thekson se popullata, shumica e së cilës janë bujq, kanë mbetur të papunë për shkak të luftës civile dhe kanë konsumuar të gjitha resurset, mbi 100 mijë njerëz në dy rajone të shtetit Unity luftojnë për mbijetesë.
Ndërkaq, në disa rajone, njerëzit përpiqen të mbijetojnë duke ngrënë gjethe të pemëve.
Shtohet thirrjet për luftë kundër krizës së urisë
Zëdhënësi i Zyrës së Koordinimit për Çështje Humanitare pranë OKB-së, Jens Laerke, paraprakisht ka njoftuar se mbi 20 milionë njerëz vuajnë nga thatësira dhe uria në Sudanin e Jugut, Nigeri, Somali dhe Jemen. Ai kishte theksuar se nevojiten 4.4 miliardë dollarë për t'i dhënë fund tragjedisë humanitare në këto vende.
Ndërkaq, Fondi Emergjent për Fëmijët i OKB-së (UNICEF), përmes një deklarate me titull "Koha po përfundon" tha se 22 milionë fëmijë në Sudanin e Jugut, Somali, Nigeri dhe Jemen kanë nevojë për ndihmë.
Sipas deklaratës, rreth 1.4 milionë fëmijë rrezikojnë të vdesin për shkak të urisë, kurse për dërgimin e ndihmave deri te këto fëmijë nevojiten 255 milionë dollarë.
Edhe Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM), përmes një deklarate në fund të muajit, i bërri thirrje komunitetit ndërkombëtar për mobilizim për gjetjen e zgjidhjes për krizën e urisë në këtë rajon.
Ndryshe, Sudani i Jugut ishte përfshirë nga lufta civile pasi presidenti i ardhur pas pavarësisë, Salv Kiir Mayardit, largoi nga detyra zëvendësin e tij Riek Machar me akuzën për "tentativë për grusht shteti" më 16 dhjetor të vitit 2013. Si pasojë e luftës civile, rreth 50 mijë njerëz kanë humbur jetën kurse milionë të tjerë janë detyruar t'i braktisin shtëpitë.
Si rezultat i negociatave për paqe, palët më 17 gusht të vitit 2015 arritën marrëveshje. Megjithatë, marrëveshja u ndërpre pas fillimit të luftimeve më 8 korrik mes forcave të sigurisë që vepronin nën urdhrat e presidentit të shtetit dhe simpatizantëve të Machar.
Qeveria e Sudanit të Jugut dhe agjencitë ndërkombëtare, më 20 shkurt të vitit 2017 njoftuan se për shkak të thatësirës dhe krizës së urisë në vend, rreth pesë milionë njerëz përballen me rrezik të urisë.