Adil Abdurrahim/Yusuf Mahmud,Ali Semerci
08 qershor 2017•Përditësim: 08 qershor 2017
HARTUM (AA) - Ministri i Jashtëm i Sudanit, Ibrahim Gandur, ka thënë se nuk do të mbajë anën e asnjërës palë në krizën mes Katarit dhe disa shteteve arabe, raporton Anadolu Agency (AA).
Gandur, duke u ndalur në krizën e fundit mes vendeve të Gjirit gjatë një fjalimi në parlament, tha se shteti i tij është brenda zhvillimeve dhe po përpiqet t'i mënjanojë mospajtimet mes shteteve vëllazërore.
Ai theksoi se liderët arabë kanë diçka më shumë se lidhja e gjakut që do t'i bashkojë dhe për këtë ata do të pajtohen.
Gandur shtoi se Sudani duhet të veprojë për interesat e tij dhe të mos nxitojë duke u kontrolluar nga emocionet. Ai vuri në dukje se shteti i tij do të vazhdojë punimet për gjetjen e zgjidhjes për krizën në fjalë.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë El-Vasat në Sudan, Jusuf el-Kude, përmes një deklarate me shkrim ka bërë thirrje për krijimin e një komisioni ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës, i cili do të përbëhej nga Turqia, Pakistani, Kuvajti, Iraku dhe Jordania.
Sipas Kude, ky komision pesëpalësh duhet të përpiqet për t'i dhënë fund përçarjes mes shteteve të përfshira në krizë dhe për t'i kthyer marrëdhëniet në gjendjen e mëparshme.
Të hënën, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini, Egjipti dhe Jemeni njoftuan për ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve diplomatike me Katarin duke e akuzuar atë për "mbështetje të terrorizmit". Bllokadës diplomatike kundër Katarit iu bashkangjitën edhe Ishujt Maldive, qeveria libiane e Tebrukut, e cila mbështet gjeneralin puçist Halife Hafter që nuk gëzon legjitimitet ndërkombëtar, Mauritania dhe Ishujt Komore.
Ndërkaq, të martën në mbrëmje, Jordania njoftoi se ka ulur nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Katarin dhe se ka mbyllur zyrën lokale të televizionit Al Jazeera të Katarit.