Recep Canik
24 Shkurt 2018•Përditësim: 24 Shkurt 2018
MOGADISHU (AA) - Numri i të vdekurve si pasojë e dy sulmeve me autobombë mbrëmë në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, është rritur në 29, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori i Shëndetësisë së Spitalit Madina, Abdikadir Huseyin Muhammed, në deklaratën për gazetarët, tha se si pasojë e dy sulmeve në kryeqytetin Mogadishu, deri më tani kanë humbur jetën të paktën 29 persona.
"27 persona të sjellë në spitalin tonë pas sulmeve të djeshme humbën jetën. Humbën jetën edhe dy persona të plagosur rëndë. Numri i të vdekurve është rritur në 29", tha Muhammed.
Gjithashtu mësohet se në spitale të ndryshme gjenden mbi 20 të plagosur.
Ndërkohë Ministri i Sigurisë së Brendshme, Mohamed Abukar Islow, në deklaratën për gazetarët theksoi se shumica e të vdekurve nga sulmet janë të rinjtë të cilët ishin duke u kthyer nga plazhi Liido.
Zyrtarët lokal njoftuan se sulmi i parë është kryer në afërsi të Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës së Somali (NISA), pranë një hoteli të sapo hapur, ndërsa i dyti në një pikë kontrolli të sigurisë në afërsi të pallatit presidencial.
Ndërkohë zyrtarët e sigurisë njoftuan se të dy sulmet të cilat kishin për qëllim pallatin presidencial janë zmbrapsur, ndërsa janë vrarë 5 militantë me uniforma të policisë.
Organizata terroriste Esh-Shebab nëpërmjet organeve transmetuese të saj njoftoi se i ka marrë përsipër sulmet.