Berk Kutay Gökmen
31 Dhjetor 2025•Përditësim: 31 Dhjetor 2025
Tajlanda liroi sot 18 ushtarë kamboxhianë që i kishte ndaluar në korrik, thanë zyrtarët, ndërsa armëpushimi midis dy vendeve vazhdon të respektohet, transmeton Anadolu.
Ky veprim erdhi pasi të dy vendet shpallën armëpushim të shtunën pas gati tre javësh përleshjesh kufitare që vranë të paktën 99 persona, përfshirë civilë.
"Tajlanda riatdhesoi në Kamboxhia 18 ushtarët kamboxhianë të ndaluar", tha në një deklaratë Ministria e Jashtme e Tajlandës duke shtuar se riatdhesimi ishte "ndërmarrë si një demonstrim i vullnetit të mirë dhe ndërtimit të besimit".
"Tajlanda shpreson që Kamboxhia do ta kthejë këtë vullnet të mirë përmes veprimeve të saj konkrete për të promovuar paqen e qëndrueshme midis dy vendeve", tha ministria.
Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes së Kamboxhias, gjenerallejtënant Maly Socheata tha se lirimi i ushtarëve "krijon mjedis të favorshëm për paqen, stabilitetin dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve në dobi të të dy vendeve".
Agjencia zyrtare e lajmeve kamboxhiane Agence Kampuchea Presse konfirmoi kthimin e ushtarëve pas 155 ditësh në paraburgim. Agjencia tha se ushtarët u pritën ngrohtësisht me mbërritjen e tyre në kalimin ndërkombëtar kufitar Prum në provincën Pailin.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, të gjithë 18 ushtarët e mbajtur që nga përleshjet kufitare në korrik, në të cilat u vranë të paktën 48 persona, do të ktheheshin në Kamboxhia nëse armëpushimi do të mbetej plotësisht i paprekur për 72 orët e para.
Veçmas, zëdhënësi i Marinës Tajlandeze, kontraadmirali Parach Rattanachaipan tha se marina kapi një anije cisternë nafte në pronësi tajlandeze në Gjirin e Tajlandës, duke dyshuar se po përpiqej të kontrabandonte karburant në Kamboxhia, sipas Thai PBS.