Emre Aytekin
10 Prill 2023•Përditësim: 11 Prill 2023
Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit njoftoi se 70 avionë ushtarakë dhe 11 anije luftarake që i përkasin Kinës janë regjistruar rreth ishullit nga mëngjesi i së dielës deri në mëngjesin e sotëm, transmeton Anadolu.
Në komunikatën e ministrisë thuhet se 35 nga 70 avionët kanë kaluar vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit dhe kanë hyrë në hapësirën ajrore të Tajvanit, në "zonën mbrojtëse të identifikimit".
Më 8 prill, ushtria kineze filloi një stërvitje ushtarake tre-ditore në ngushticën e Tajvanit, përmes së cilës Pekini dëshiron të paralajmërojë forcat pro-tajvaneze që luftojnë për pavarësinë e ishullit.
Stërvitja nisi me luftanijen kineze në ngushticën e Tajvanit. Bëhet fjalë për një anije sulmi amfibe nga e cila u gjuajtën disa predha në zonën e Gjirit Luoyan në bregdetin e provincës Fujian, rreth 50 kilometra në veriperëndim të ishullit Matsu pranë truallin që është nën kontrollin e Tajvanit.
Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit tha se 8 anije kineze dhe 42 avionë kaluan përmes ngushticës së Tajvanit të shtunën në mëngjes.
Kina e sheh Tajvanin si territor të saj dhe kurrë nuk ka hequr dorë për ta kthyer ishullin nën kontrollin e saj. Qeveria tajvaneze e kundërshton me forcë një gjë të tillë.
Gjithashtu stërvitje janë planifikuar edhe në veri, jug dhe lindje të ishullit të Tajvanit. Stërvitjet pasuan pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Kevin McCarthy në SHBA.