Vakkas Doğantekin
22 Prill 2020•Përditësim: 22 Prill 2020
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump të martën i bëri thirrje Universitetit të Harvardit të kthejë paratë e marra për lehtësim nga ndikimi i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), duke thënë se gabimisht ka marrë paratë e alokuara për bizneset e vogla, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Do t’i kërkoj ato", u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. "Harvard do t’i kthejë paratë. Ata nuk duhet t'i marrin ato".
Trump tha se Harvardi, një nga universitetet më të pasura në botë, ka marrë 8 milionë dollarë nga fondi federal prej 2.2 trilionë dollarë që kishte për qëllim të ringjallte bizneset e SHBA-ve dhe familjet amerikane.
"Nuk do të përmend emra të tjerë, por kur pashë Harvardin, ata janë një nga më të pasurit kudo në vend, mbase në botë. Ata do t’i kthejnë paratë", tha ai.
Harvard ka marrë paratë përmes Fondit të Ndihmës së Urgjencës së Arsimit të Lartë, si shumë kolegje dhe universitete të tjera amerikane.
Harvard është zotuar se 100 për qind e këtyre fondeve të arsimit të lartë të urgjencës do të përdoren për të ofruar ndihmë të drejtpërdrejt për studentët që përballen me nevoja financiare urgjente për shkak të pandemisë së COVID-19”, tha universiteti në një deklaratë.
Masat e qëndrimit në shtëpi për shkak të koronavirusit kanë krijuar papunësi rekorde në të gjithë vendin dhe kanë dëmtuar mijëra biznese të vogla.
Programi i kredisë për biznesin e vogël, fillimisht i financuar me 350 miliardë dollarë, mbaruan brenda ditëve dhe Senati të martën duhej të kalonte një paketë tjetër kredie prej 484 miliardë dollarë, që pritet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve.
SHBA është vendi më i goditur në botë nga pandemia e koronavirusit, me më shumë se 820 mijë të infektuar dhe afër 45 mijë të vdekur, tregojnë të dhënat e përpiluara nga Universiteti "Johns Hopkins".