Diyar Güldoğan
22 Tetor 2022•Përditësim: 24 Tetor 2022
Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë veprime për të luftuar islamofobinë, një kërcënim me të cilin përballet e gjithë bota, tha sot në Istanbul shefi i Komunikimeve i Presidencës turke, Fahrettin Altun, raporton Anadolu Agency (AA).
“Me të vërtetë, një nga kërcënimet e sotme globale është pa dyshim islamofobia. Armiqësia ndaj Islamit dhe muslimanëve është intensivisht e dukshme në të gjithë botën”, tha Altun në hapjen e Konferencës së 12-të të Ministrave të Informacionit të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI).
Gjatë konferencës, ministra dhe përfaqësues të nivelit të lartë nga 57 vende do të diskutojnë disa çështje, duke synuar thellimin e bashkëpunimit në fushat e medias, komunikimit dhe informacionit në botën islame.
Konferenca, e cila u mblodh nën temën “Luftimi i dezinformimit dhe islamofobisë në epokën e post-të vërtetës”, synon të zhvillojë dhe forcojë bashkëpunimin e vendeve islame në fushën e medias dhe komunikimit.
Altun tha se dezinformimi përshpejton përhapjen e islamofobisë në mbarë botën.
“Islamofobia gjithashtu ka një veçori që ndan komunitetin botëror dhe kërcënon paqen dhe stabilitetin global. Prandaj, e gjithë bota duhet ta shohë islamofobinë si një krim të hapur të urrejtjes, krim kundër njerëzimit dhe të luftojë kundër këtij krimi në mënyrë efektive”, tha Altun.
“Me fjalë të tjera, luftimi i këtij krimi duhet të jetë një nga detyrat kryesore jo vetëm e muslimanëve, por edhe e bashkësisë ndërkombëtare”, shtoi ai.
Roli i luajtur nga media ndërkombëtare dhe think-tanket në përhapjen e islamofobisë është “i pamohueshëm”, argumentoi Altun.
“Fatkeqësisht, mediat ndërkombëtare pikturojnë një portret jashtëzakonisht negativ të muslimanëve”, shtoi ai.
Türkiye dhe institucionet e saj po bëjnë përpjekje të forta për të luftuar islamofobinë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për këtë çështje, tha Altun.
Në konferencë, një përfaqësues saudit i dorëzoi Türkiye-s presidencën e radhës të Konferencës së Ministrave të Informacionit të OBI-së.