Nuri Aydın
25 Shkurt 2022•Përditësim: 26 Shkurt 2022
Ushtria e Ukrainës njoftoi se të shtënat e armëve kanë filluar të dëgjohen në afërsi të ndërtesave qeveritare në kryeqytetin Kiev, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga ushtria thuhet se "agjentët" dhe "sabotuesit" e Rusisë janë vërejtur në një afërsi rreth 7,5 km nga kryeqyteti Kiev.
Në anën tjetër sipas Ukrinform, agjencisë zyrtare të lajmeve të Ukrainës, konfliktet më intensive krahas qytetit Ivankov po përjetohen në tre lagjet periferike Gostomel, Vorzel dhe Bucha në rajonin e Kievit.
Rusia në kuadrin e sulmit ushtarak ndaj Ukrainës, ka intensifikuar gjatë gjithë natës operacionet e saj kundër kryeqytetit Kiev.
Në pika të ndryshme të qytetit gjatë natës janë dëgjuar shpërthime dhe në orët e para të mëngjesit kanë rënë sirenat, ndërkohë që ushtria ruse ka goditur objektivat e ushtrisë së Ukrainës në Kiev dhe zonat përreth saj.
Gjatë sulmeve një raketë goditi një apartament në juglindje të qytetit dhe u njoftua se 8 persona u plagosën në ndërtesën që u përfshi nga zjarri.