Nazir Aliyev Tayfur
04 Qershor 2022•Përditësim: 06 Qershor 2022
Lufta urbane ka filluar në qytetin ukrainas Severodonetsk pasi përleshjet e rënda me forcat ruse vazhdojnë në qendër të qytetit, tha sot Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rusia po përpiqet të marrë kontrollin e rajonit në bregun e majtë të lumit Siverskyi Donets, thuhet në një deklaratë, e cila shton se forcat ruse kanë tërhequr rreth 100 pjesë të pajisjeve ushtarake të dëmtuara në veriperëndim drejt qytetit Slobozhansky.
Vendasit vazhdojnë t’u rezistojnë forcave ruse, vuri në dukje deklarata, ndërsa Moska kërkon të mbajë pozicionet e saj në drejtim të rajoneve Kharkiv dhe Kherson.
Në 24 orët e fundit, raportohet se në vijën e konfliktit janë shkatërruar një tank, një sistem artilerie, gjashtë automjete të blinduara, tre automjete ushtarake, dy mjete ajrore pa pilot Orlan-10 (UAV) dhe një UAV taktik i zbulimit Eleron që u përkisnin Rusisë.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 4.113 civilë janë vrarë dhe 4.916 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës, kurse numri i vërtetë besohet të jetë shumë më i lartë.
Mbi 6,8 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera, ndërsa më shumë se 7,7 milionë janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.