Jeyhun Aliyev
10 shkurt 2022•Përditësim: 10 shkurt 2022
Ukraina ka "protestuar fuqishëm" kundër vendimit të Rusisë për të bllokuar pjesë të Detit të Zi, Detit Azov dhe ngushticës Kerch nën pretekstin e "mbajtjes së stërvitjeve të rregullta detare", transmeton Anadolu Agency (AA).
"Mbulimi i paprecedentë i manovrave e bën lundrimin në të dy detet praktikisht të pamundur. Në thelb ky është një ndërlikim domethënës dhe i pajustifikuar i transportit detar ndërkombëtar, veçanërisht i tregtisë, gjë që mund të shkaktojë pasoja komplekse ekonomike dhe sociale, veçanërisht për portet e Ukrainës", tha Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës.
Ministria ukrainase i konsideroi të papranueshme "veprimet e tilla agresive" nga Moska, për të cilat tha se "përshtaten në konceptin e luftës së saj hibride kundër Ukrainës".
Deti Azov shtrihet në verilindje të gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi nga Ukraina në mars të vitit 2014. Ai lidhet me Detin e Zi përmes ngushticës Kerch.
Aneksimi i Krimesë nga Rusia është cilësuar i paligjshëm nga Bashkimi Evropian (BE), Turqia dhe Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB).
"Ky është një manifestim i shpërfilljes së hapur ndaj normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Kartën e OKB-së, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit", tha ministria ukrainase.
Më tej, theksohet se Ukraina po "punon ngushtë" me partnerët, kryesisht me ata në rajonin e Detit të Zi, për t’u siguruar që veprimet e tilla ruse të marrin një "vlerësim dhe përgjigje të duhur".
Së fundmi, Rusia grumbulloi mijëra trupa pranë kufijve të Ukrainës, duke shkaktuar frikë se mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër ish-republikës sovjetike.
SHBA dhe aleatët e saj kanë paralajmëruar për një sulm të afërt dhe kanë kërcënuar Rusinë me "pasoja të rënda".
Megjithatë, Moska ka mohuar se po përgatitet të pushtojë Ukrainën dhe ka theksuar se trupat e saj ndodhen atje për stërvitje.