Berk Kutay Gökmen
15 shtator 2026•Përditësim: 15 shtator 2026
Ushtria amerikane shkatërroi dy varka iraniane pasi Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) dyshohet se u përpoq të kapte një dron të marinës amerikane që patrullonte Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.
Mediat iraniane thanë se SHBA-ja goditi varkat e peshkimit pranë qytetit port të Karganit dhe ishullit Larak në provincën Hormozgan.
Zëvendësguvernatori për Çështjet e Sigurisë, Ahmad Nafisi tha se një numër i paspecifikuar peshkatarësh mungonin ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdonin, njoftoi agjencia e lajmeve Mehr.
Një zyrtar amerikan tha se IRGC po përdorte varkat për të kapur një anije amerikane sipërfaqësore pa pilot, kur një dron amerikan qëlloi dy raketa, duke shkatërruar të dyja varkat dhe duke vrarë shumicën e njerëzve në bord.
Zëdhënësi i Komandës Qendrore të SHBA, kapiteni Tim Hawkins tha: "Anijet e vogla iraniane së fundmi u përpoqën të merrnin në zotërim një anije sipërfaqësore pa pilot të SHBA-së, por ato dështuan pasi CENTCOM-i u përgjigj me forcë".
"Droni sipërfaqësor mbetet nën kontrollin operacional të SHBA-së", tha Hawkins.
Incidenti vjen pasi SHBA-ja kërkon të mbrojë trafikun tregtar përmes ngushticës, ku dërgesat e naftës mbeten nën nivelet e paraluftës.
Forcat amerikane dhe vendet e Gjirit kanë rifilluar tranzitin e cisternave gjatë ditës, në vend që të mbështeten vetëm në kalimet e natës.
Rreth 40 anije kalojnë çdo ditë nën drejtimin ushtarak të SHBA-së, ndërsa rreth 14 milionë fuçi naftë kalojnë nëpër rrugë ujore çdo ditë.
Sipas raportit, cisternat e LNG dhe LPG gjithashtu kanë rifilluar kalimet.