Ekip
19 Mars 2021•Përditësim: 19 Mars 2021
Gjermania ka rifilluar vaksinimet me vaksinën kundër koronavirusit nga AstraZeneca, pas rekomandimeve nga rregullatorët evropianë se përfitimet e vaksinës janë më të mëdha se rreziqet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia Evropiane e Barnave të enjten theksoi se vaksina është e sigurt por nuk mund të përjashtojë lidhjen me një numër të vogël të mpiksjeve të rralla të gjakut të raportuara në kontinent, kurse pacientëve duhet t'u thuhet që të kenë kujdes me shenjat paralajmëruese.
Ky veprim hapi rrugën për më shumë se dhjetë vende evropiane, të cilat pezulluan përdorimin e vaksinës gjatë javës së kaluar, për të filluar përdorimin e saj përsëri.
Autoritetet në Berlin thanë se dy qendra të mëdha vaksinimi që ofrojnë vaksinën AstraZeneca për banorët e kryeqytetit gjerman do të rihapen sot dhe personave të cilëve u anuluan prenotimet këtë javë do të jenë në gjendje të marrin vaksinën gjatë fundjavës pa bërë rezervim të ri.
Pezullimi i vaksinës AstraZeneca ngadalësoi më tej fushatën e vaksinimit tashmë të ngadaltë të Gjermanisë këtë javë. Deri më tani, rreth 10 milionë doza janë administruar në vend, me 8,4 për qind të popullsisë që kanë pranuar të paktën një dozë dhe 3,7 për qind që kanë marrë të dyja dozat.
Agjencia e kontrollit të sëmundjeve në Gjermani raportoi 17.482 raste të konfirmuara rishtazi me COVID-19 dhe 226 vdekje.