Amir Latif Arain
29 qershor 2026•Përditësim: 29 qershor 2026
Ushtria e Koresë së Jugut tha sot se eshtrat e shtatë ushtarëve të vrarë gjatë Luftës Koreane të viteve 1950-1953 u varrosën pas gati dy dekadash përpjekjesh kërkimi dhe rikuperimi, raportoi Yonhap News me bazë në Seul, transmeton Anadolu.
Ceremonitë e përbashkëta të varrimit për heronjtë e luftës që luftuan gjatë konfliktit tre-vjeçar u zhvilluan në dy varreza kombëtare, të vendosura në Seul dhe në qytetin qendror të Daejeon.
Pesë nga ushtarët u varrosën në Seul ndërsa dy të tjerët u varrosën në Daejeon në përputhje me dëshirat e familjeve të tyre. Shefi i Shtabit të Ushtrisë gjeneral Kim Gyu-ha mori pjesë në ceremoninë në Daejeon.
"Liria dhe paqja që gëzojmë sot u ndërtuan mbi sakrificat fisnike të heronjve tanë patriotë dhe të kolegëve të panumërt veteranë", tha Kim në një fjalim përkujtimor.
Eshtrat e ushtarëve u gjetën midis 2007 dhe 2025 dhe u identifikuan përmes krahasimeve të ADN-së me anëtarët e mbijetuar të familjes.
Ministri i Mbrojtjes, Ahn Gyu-back u zotua sot të ndërtojë një ushtri "të fortë" "të besuar nga njerëzit".
Ai po i drejtohej një ceremonie që shënonte 24 vjetorin e një përleshjeje detare me Korenë e Veriut në vitin 2002 që la të vdekur gjashtë marinarë koreano-jugorë. "Ka një rrugë të qartë për të shpërblyer sakrificat e heronjve të rënë", tha Ahn në fjalën e tij përkujtimore.
"Të ndërtojmë ushtri të fortë të besuar nga njerëzit. Ky është misioni ynë i përbashkët për ne që jemi gjallë sot", shtoi ai.