06 shtator 2021•Përditësim: 06 shtator 2021
Ambasadorët e vendeve të grupit G7 i kanë bërë thirrje presidentit tunizian, Kais Saied, për të lehtësuar kthimin e shpejtë të vendit në rendin kushtetues, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne apelojmë për kthimin e shpejtë në rendin kushtetues, në të cilin parlamenti i zgjedhur luan një rol të rëndësishëm", thanë ambasadorët në një deklaratë të përbashkët.
Më tej, ata theksuan "nevojën urgjente" për të caktuar një kryetar të ri të qeverisë për të formuar një qeveri të aftë për të adresuar krizat e menjëhershme ekonomike dhe shëndetësore me të cilat përballet Tunizia.
Vendet e G7-tës theksuan rëndësinë e lëvizjes në krijimin e hapësirës për një "dialog gjithëpërfshirës në lidhje me propozimin e reformave kushtetuese dhe zgjedhore".
"Derisa ky proces të marrë formë, ne bëjmë thirrje për angazhimin e vazhdueshëm politik dhe respektimin e të gjitha të drejtave civile, politike, sociale dhe ekonomike të tunizianëve dhe për sundimin e ligjit", thuhet në deklaratë, duke u theksuar se marrëdhëniet e tyre me Tunizinë përqendrohen në "vlerat e përbashkëta demokratike".
Më 25 korrik, Saied rrëzoi qeverinë, pezulloi parlamentin dhe mori autoritetin ekzekutiv. Derisa ai këmbëngul se masat e tij të jashtëzakonshme kanë për qëllim të "shpëtojnë vendin", kritikët e akuzojnë atë për orkestrimin e një grusht shteti.
Tunizia është parë si i vetmi vend që arriti të kryejë një tranzicion demokratik midis vendeve arabe, të cilët dëshmuan revolucione popullore që rrëzuan regjimet në pushtet, përfshirë Egjipti, Libia dhe Jemeni.