Felix Nkambeh Tih
01 Maj 2020•Përditësim: 01 Maj 2020
Së paku 25 persona u vranë si pasojë e përleshjeve të dhunshme në një rajon verilindor të Republikës së Afrikës Qendrore, thuhet në një deklaratë zyrtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e lëshuar të enjten, qeveria shprehu keqardhje për sulmin ndaj popullatës civile në qytetin Ndele, që po ashtu u plagosën 51 të tjerë.
"Situata është akoma konfuze", tha Ange-Maxime Kazigui, zëdhënëse e qeverisë dhe ministër i Komunikimit.
Punëtorët humanitarë në rajon u thanë mediave lokale se përleshjet kanë vazhduar midis disa grupeve të armatosura në rajon që nga e mërkura.
Kazigui tha se forcat e armatosura janë vendosur në zonë për të rivendosur qetësinë.
Përplasjet midis grupeve rivale gjatë muajve të fundit kanë ngritur shqetësime për marrëveshjen e paqes dhe mjetet e saj për t'i dhënë fund dhunës në vend.
Vendi është kapluar nga dhuna që kur rebelët Seleka rrëzuan presidentin e atëhershëm Francois Bozize në vitin 2013.
Vendi i izoluar, në kufi me Çadin, Sudanin, Kongon dhe Kamerunin, ka dëshmuar luftime të ashpra midis Selekës muslimane dhe rebelëve të krishterë anti-Balaka gjatë shtatë viteve të fundit.
Sipas Kombeve të Bashkuara, kjo ka detyruar thuajse gjysmën e popullsisë së vendit të migrojnë dhe të varen nga ndihma humanitare.