Gülşen Topçu
22 Mars 2018•Përditësim: 22 Mars 2018
GAZA (AA) – Ministria e Punëve të Brendshme në Rripin e Gazës ka bërë të ditur identitetin e sulmuesit kryesor ndaj autokolonës së kryeministrit palestinez Rami Hamdallah, më 13 mars të këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e Ministrisë palestineze thuhet se në kuadër të hetimit është vërtetuar se sulmuesi ndaj autokolonës së kryeministrit Hamdallah është Enes Abdulmalik Abdulkadir Abu Musa. Po ashtu thuhet se forcat e sigurisë e kërkojnë atë.
Nga Ministria porositën se informacioni për të arratisurin do të shpërblehet me 5.000 dollarë ndërsa edhe kundër atyre që i kanë ndihmuar në fshehjen dhe arratisjen do të ngritet procedurë.
Me këtë rast në Gaza janë ndërmarrë masa të larta të sigurisë ndërsa forcat e sigurisë bëjnë gjithçka për të gjetur Abu Musa dhe sulmuesit tjerë.
Autokolona e kryeministrit palestinez Hamdallah u sulmua më 13 mars. Pas arritjes në Gaza ishte objekt i sulmit me bombë, ndërsa në shoqërim të kryeministrit ishte edhe shefi i shërbimit palestinez të inteligjencës, Majid Ferej.
Agjencia palestineze e lajmeve WAFA atëherë lajmëroi se në sulm janë plagosur të paktën 7 persona, në mesin e tyre nuk ishin Hamdallah dhe Ferej.
Kryeministri Hamdallah pas sulmit mori pjesë në hapjen e planifikuar solemne të stacionit për pastrimin e ujit dhe konfirmoi se ka qenë viktimë e atentatit.
“Ishte sulm ndaj unitetit kombëtar të Palestinës. Herët është të akuzohet dikush por përgjegjës do të jenë ata që janë kompetentë për sigurinë e këtij territori”, tha Ferej.
Duke e vlerësuar aktin si qyqar, Ferej tha se kjo nuk do të bllokojë procesin e pajtimit në Palestinë.