Ekip
24 Nëntor 2020•Përditësim: 24 Nëntor 2020
Zjarri në depon e naftës në qytetin e Xhides të Arabisë Saudite ishte rezultat i një "sulmi terrorist me një predhë", konfirmoi dje një zyrtar, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Të hënën, në ora 3:50 të mëngjesit (me kohën lokale), një shpërthim shkaktoi zjarr në depon e karburantit në një stacion shpërndarjeje të produkteve të naftës në veri të qytetit të Xhides", citoi agjencia zyrtare saudite e lajmeve SPA një zyrtar nga Ministria e Energjisë, pa publikuar emrin e tij.
Zyrtari, megjithatë, nuk akuzoi asnjë grup për sulmin.
Ai shtoi se ekipet e zjarrfikësve arritën ta shuajnë zjarrin dhe nuk raportuan ndonjë viktimë nga shpërthimi.
Zyrtari gjithashtu konfirmoi se shpërthimi nuk ndikoi në furnizimin me karburant nga stacioni për klientët e tij.
Më parë gjatë ditës së djeshme, zëdhënësi i grupit rebel nga Jemeni Houthi, Yahya Saree, tha se kishin shënjestruar me një raketë një stacion shpërndarjeje të kompanisë shtetërore të naftës të Arabisë Saudite Aramco në Xhide.
"Këto aktivitete terroriste dhe përçarëse që janë kryer kundër objekteve vitale [...] synojnë sigurinë dhe stabilitetin e rrugës së furnizimit me energji në botë dhe ekonominë botërore", shtoi zyrtari saudit.
Grupi rebel Houthi rregullisht njofton sulme me raketa dhe dronë në territoret saudite, duke thënë se ato janë në përgjigje të sulmeve të koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite ndaj Jemenit.
Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.
Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur koalicioni ushtarak i udhëhequr nga sauditët nisi një fushatë ajrore shkatërruese që synonte të rikthente territoret e kapura nga rebelët.
Dhjetëra mijëra jemenas, përfshirë civilë, besohet se janë vrarë në konflikt, i cili ka çuar në një nga krizat më të rënda humanitare në botë, pasi miliona njerëz mbeten të rrezikuar nga uria.