Ata Ufuk Şeker
30 Nëntor 2022•Përditësim: 01 Dhjetor 2022
Bashkimi Evropian planifikon të konfiskojë rezervat e Bankës Qendrore të Rusisë prej 300 miliardë euro të ngrira për shkak të luftës dhe asetet prej 19 miliardë euro të ngrira të oligarkëve rusë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen postoi nga llogaria e saj në median sociale një video lidhur me luftën Rusi-Ukrainë.
"Rusia duhet të paguajë financiarisht koston e shkatërrimit që ka shkaktuar", tha Von der Leyen e cila shtoi se dëmi që ka pësuar Ukraina deri më tani parashikohet të jetë 600 miliardë euro.
"Rusia dhe oligarkët e saj duhet të kompensojnë dëmin e shkaktuar ndaj Ukrainës dhe duhet të përballojnë shpenzimet e nevojshme për rindërtimin e vendit", theksoi Von der Leyen.
Kemi mjetet që ta bëjnë Rusinë ta paguajë këtë, tha presidentja e KE-së duke njoftuar se kanë bllokuar 300 miliardë euro të rezervave të Bankës Qendrore të Rusisë dhe se kanë ngrirë 19 miliardë euro të oligarkëve rusë.
Ajo tha se bashkë me partnerët, mund të formojnë një strukturë që do të menaxhojë këto fonde dhe do të investojë me to në një afat të shkurtër.
Von der Leyen tha se të ardhurat e strukturës në fjalë mund të përdoren për Ukrainën. "Kur të hiqen sanksionet, këto fonde duhet të përdoren për kompensimin e plotë të dëmit që Rusia i ka shkaktuar Ukrainës. Për ta bërë të mundur këtë do të punojmë me partnerët tanë mbi një marrëveshje ndërkombëtare", tha presidentja e KE-së.
Pasi tha se me partnerët ndërkombëtarë mund të gjejnë rrugët ligjore për ta realizuar këtë, Von der Leyen nënvizoi se "Krimet e tmerrshme të Rusisë nuk do të mbesin pa ndëshkim".