Bekim Laci
15 Shtator 2016•Përditësim: 15 Shtator 2016
SHKUP (AA) – Pensionistët nuk duhet të shqetësohen për pensionet e tyre pasi problemi me Fondin shtetëror pensional (FPIM) i cili nuk paguante në kohë përqindjen e kontributeve në fondet private tanimë është çështje e tejkaluar, thanë kompetentët gjatë konferencës ndërkombëtare e cila po mbahet sot në Shkup lidhur me ndërgjegjësimin pensional, raporton Anadolu Agency (AA).
Agjencia për supervision të sigurimit pensional të financuar me kapital (ASSPFK) ka bërë bashkë në Shkup pjesëmarrës nga institucionet shtëtërore, trupave rregullatore dhe bashkëpunëtorë nga vendi dhe jasht, për të shkëmbyer përvoja nga lëmi i sigurimit pensional.
Bylent Dervish, kryetar i Këshillit të Ekspertëve të ASSPFK-së tha se kjo konferencë është e rendësishme për vendin, sidomos nga aspekti i dhënies së këshillave dhe edukimit të brezave të rinj duke bërë prezantimet në shkollat e mesme dhe fakultet për rëndësinë e financimit kapital të pensionit.
“MAPAS ka përgatitur një fletushkë me 50 pyetje të cilat më së shumti parashtrohen dhe 50 përgjigje për të njëjtat, ndërsa ka publikuar edhe buletinin elektronik i cili publikohet në fund të çdo kuartali si dhe bën publikimin e raporteve dhe analizave mujore, kuartale dhe vjetore”, deklaroi Bylent Dervish, kryetar i Këshillit të Ekspertëve të ASSPFK-së.
Ai tha se problemi kur Fondi shtetëror pensional (FPIM) nuk paguante në kohë përqindjen e kontributeve në fondet private tanimë është tejkaluar dhe se ndjekin situatën nga afër.“Në janar të vitit të kaluar kjo çështje u mbyll dhe tani vazhdimisht për çdo muaj ndjekim situatën me FPIM”, tha ai për të shtuar se situata nuk është alarmante.
Ndërsa, Trajko Premçevski nga Fondi Pensional dhe Invalidor i Maqedonisë (FPIM) nga ana e tij deklaroi se me MAPAS-in si një trup mbikëqyrës nuk kanë asnjë problem për sa i përket zbatimit të ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, ligjit për sigurim të detyrueshëm kapital dhe ligjit për pagesën e pensioneve nga shtylla e dytë.
Ai kundërshoi zërat se fondi pensional për çdo vit e më shumë po bëhet i varur nga buxheti i shtetit.
“Nuk ka asnjë dilemë, Fondi është i qëndrueshëm si në afat të mesëm poashtu edhe në afat të shkurtë. Pensionistët nuk duhet të kenë frikë për pensionet e tyre sepse shteti gjithmonë do të gjejë mënyra për të përmirësuar dhe avancuar punën e FPIM-së”, deklaroi Premçevski.
Ai nuk shpalosi të dhëna se në çfarë mase aktualisht fondi pensional është i varur nga buxheti i shtetit sepse siç tha kjo pjesë është financiare.
Sidoqoftë, tha Premçevski, pensionistët në dhjetor do të marrin rritjen e paralajmëruar me pensionin e nëntorit.