Kasım İleri
24 Mars 2021•Përditësim: 24 Mars 2021
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Koreja e Veriut në fundjavën e kaluar ka zhvilluar testet e raketës me rreze të shkurtër, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga Koreja e Veriut ka ardhur përgjigje ndaj vizitave që sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilluan në Japoni dhe Korenë e Jugut.
Zyrtarët amerikanë të cilët nëpërmjet një telekonference kanë bërë deklarata për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë dhe të cilët nuk kanë dëshiruar identifikimin e emrave të tyre, duke konfirmuar lajmet në media ata deklaruan se kanë përcaktuar që Koreja e Veriut ka zhvilluar disa teste të raketave me rreze të shkurtër.
Zyrtarët bënë të ditur se raketat e llojit lundruese nuk janë raketa në kuadrin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për të parandaluar programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut.
Zyrtarët amerikanë nuk kanë dhënë më shumë detaje lidhur me testimet në fjalë.
Ndaj pyetjes nëse ky hap ka mbyllur apo jo derën e diplomacinë mes Washingtonit dhe Phenianit, një prej zyrtarëve tha se "Nuk mendojmë se ky është një aktivitet që mbyll dyert".
Këto testime kanë rëndësi për shkak se këto janë raketat e para që lëshohen nga Koreja e Veriut pas ardhjes në detyrë të presidentit amerikan Joe Biden.
Gjithashtu flitet që Pheniani me këto testime ka dhënë mesazhin se nuk e merr në konsideratë propozimin e administratës Biden për të zgjidhur me negociata diplomatike problemin bërthamor në Gadishullin Korean.
Teksa administrata Biden po rishikon politikën e SHBA-së kundrejt Koresë së Veriut, pretendohet se ajo është konsultuar me zyrtarët e ish-presidentit Donald Trump.
Kim Yo Jong, motra e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un përpara vizitës së Austin dhe Blinken në Azi bëri një deklaratë duke theksuar se "Nëse SHBA-ja dëshiron të flejë e qetë në shtrat, ajo duhet të shmangë shkaktimin e aromave të këqija".