Övünç Kutlu
05 Dhjetor 2019•Përditësim: 05 Dhjetor 2019
Takimi gjysmëvjetor i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) do të fillojë sot në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, ku OPEC dhe aleatët e saj pritet të bisedojnë drejt balancimit të tregut global të naftës, raporton Anadolu Agency (AA).
Këtë vit, seanca e takimit ministror të shumëpritur të OPEC-ut është shtyrë pasdite, në vend të kohës fillestare të zakonshme kur takimet janë mbajtur rreth mesditës.
Mbledhja e sotme do të fillojë me takimin e 17-të të Konferencës së Përbashkët të Monitorimit të Ministrave (JMMC) në ora 11:00 sipas kohës lokale në Vjenë, e mbyllur për mediat dhe analistët. Formuar në dhjetor 2016, JMMC është përgjegjëse për monitorimin e prodhimit të naftës të OPEC dhe vendeve jo anëtare të OPEC-ut si dhe zbatimin e kuotave të prodhimit.
Më vonë sot, ministrat e Energjisë dhe Naftës nga 14 anëtarët e OPEC-ut do të takohen në ora 15:00 në selinë e OPEC-ut në Vjenë. Pas fjalëve të hapjes, ministrat do të ulen pas dyerve të mbyllura për të diskutuar mbi vlerën e furnizimit në tregun global të naftës dhe kërkesat në ulje në të gjithë botën. Pas diskutimeve, disa ministra do të japin deklarata dhe do t'u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.
Nesër, vendet anëtare prodhuese të naftës dhe vendet jo anëtare të OPEC-ut do të fillojnë takimin e tyre ministror në ora 11:00 sipas kohës lokale në Vjenë. Pas përfundimit të seancës së tyre të mbyllur, ministrat e vendeve anëtare dhe jo anëtare të OPEC-ut do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.
Arabia Saudite si udhëheqëse e OPEC-ut pritet të mbështesë zgjatjen e marrëveshjes për kufizimin e prodhimit dhe shkurtimit të mëtejshëm të prodhimit ndërsa Rusia si udhëheqëse e vendeve jo anëtare të OPEC-ut, do të shqyrtojë nëse do të mbështesë vendimin apo jo.
Anëtarët e OPEC-ut u pajtuan në dhjetor 2018 për të ulur kolektivisht prodhimin e përgjithshëm të naftës të grupit me 800 mijë fuçi në ditë, në krye me Arabinë Saudite që mbante pjesën më të madhe të barrës duke shkurtuar prodhimin e saj me 500 mijë fuçi në ditë.
Përderisa vendet jo anëtare të OPEC-ut mbështesin vendimin duke ulur prodhimin e tyre me 400 mijë fuçi në ditë, Rusia tha se do të ul prodhimin e saj me 228 mijë fuçi në ditë.
Në qershor 2019, marrëveshja u vazhdua deri në fund të marsit 2020.