Sibel Morrow
01 Prill 2022•Përditësim: 01 Prill 2022
Prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë ranë dakord të enjten t'i përmbahen planit aktual të rritjes së prodhimit me 400 mijë fuçi në ditë deri në maj, duke shtuar 32 mijë fuçi në ditë duke përshtatur nivelet bazë të prodhimit të disa vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Aleatët dhe 23 anëtarët e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), të njohur si OPEC-plus, mbajtën Takimin e 27-të Ministror përmes video-konferencës.
Grupi tha se "bazat e vazhdueshme të tregut të naftës dhe konsensusi mbi perspektivën treguan për një treg të balancuar mirë dhe se paqëndrueshmëria aktuale nuk shkaktohet nga bazat, por nga zhvillimet e vazhdueshme gjeopolitike".
Grupi OPEC-plus uli prodhimin e tij ditor të naftës së papërpunuar me afërsisht 10 milionë fuçi në prill 2020 për shkak të rënies së madhe të kërkesës pas shfaqjes së pandemisë COVID-19. Ndërsa ekonomitë globale dhe kërkesa për naftë filluan të rimëkëmbeshin, grupi filloi me lehtësimin e këtyre shkurtimeve në prill 2021.
Që nga korriku i vitit të kaluar, vendet kryesore prodhuese e kanë rritur prodhimin në mënyrë të vazhdueshme me 400 mijë fuçi në ditë.
Megjithatë, grupi shtoi 32 mijë fuçi në ditë duke rritur linjat bazë të prodhimit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Irakut, Kuvajtit, Arabisë Saudite dhe Rusisë duke filluar nga maji 2022, në përputhje me një vendim të rënë dakord në të njëjtin takim të korrikut.
Takimi i radhës i anëtarëve të OPEC-ut dhe vendeve jashtë OPEC-ut është planifikuar për 5 maj.