Agim Sulaj
02 Shtator 2019•Përditësim: 03 Shtator 2019
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) nëpërmjet një konference për media ka paraqitur problemet e sektorit privat në Kosovë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të shpeshta parlamentare, si pengesë e zhvillimit të këtij sektori, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, tha se disa nga barrierat e të bërit biznes në pesë vjetët e fundit në Kosovë janë ekonomia joformale, energjia elektrike dhe korrupsioni.
Rukiqi tha se Kosova ka rritje ekonomike, por kjo rritje është e paqëndrueshme. "Kosova ka rritje ekonomike por kjo rritje ekonomike është e paqëndrueshme. Është e paqëndrueshme për dy arsye. E para, varet nga investimet publike. E dyta, varet nga remitencat e diasporës. Ndërsa, në kushte normale nëse ne dëshirojmë ta shohim një cikël afatgjatë zhvillimor, rritjen ekonomike duhet ta presim nga sektori privat", tha Rukiqi.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se OEK nuk do të angazhohet në zgjedhjet e 6 tetorit, por do të dalin me rekomandime për institucionet në lidhje me problemet e sektorit privat.
"Çdo dy vjet, çdo tre vjet, zgjedhje. Asnjë cikël qeveritar nuk po mbyllet në mandatin e plotë. Kjo është problematike. Reformat që po fillojnë, edhe tash në këtë mandat qeverisës, për shembull ligji i TVSH-së, ligji i tatimit në korporata e shumë ligje tjera që lidhen drejtpërdrejtë me biznesin kanë ngecur, nuk janë miratuar në Parlament. Jostabiliteti politik nuk nënkupton vetëm këto ciklet e shpeshta zgjedhore, por nënkupton edhe mosvendimmarrje", tha Rukiqi.
Duke folur për sfidat që po e presin qeverinë e ardhshme, kreu i OEK-ut tha se qeveria e ardhshme duhet të bëjë që punëtorët e sektorit privat të mos punojnë pa kontratë. Rukiqi gjithashtu tha se qeveria e ardhshme duhet të sigurojë energji elektrike me tarifa të ndryshme varësisht nga zona, të rrisë fondin për efiçiencë në energji, të vazhdojë punën me Gjykatën Komerciale, dhe të tjera.
Numri i punëtorëve të sektorit privat në Kosovë sipas të dhënave zyrtare është rreth 250 mijë, ndërsa në sektorin publik janë të punësuar rreth 85 mijë qytetarë.