Kerem Kocalar
20 prill 2018•Përditësim: 21 prill 2018
GAZIANTEP (AA) - Kryeredaktorët e agjencisë shtetërore të Turqisë Anadolu Agency (AA) në gjuhët ndërkombëtare vizituan qytetin sirian Al Bab i cili u çlirua në kuadër të operacionit antiterrorist turk "Mburoja e Eufratit".
Kryeredaktorët që përfaqësojnë AA-në në katër anët e botës, të cilët udhëtuan për në Turqi në kuadër të "Takimit Vjetor të Kryeredaktorëve", fillimisht vizituan kampin e refugjatëve në Elbeyli të provincës turke Kilis, ku u informuan rreth aktiviteteve nga ana e zëvendësguvernatorit Ömer Yılmaz.

Ata takuan kursistët dhe nxënësit në shkollat dhe qendrat e arsimit në kamp, ndërsa më pas kaluan në qytetin Al Bab nga pika kufitare Çobanbey.
Grupi vizitoi një kodër strategjike në Al Bab dhe mbolli fidane, kurse më pas u takuan me zëvendësguvernatorin e Gaziantepit dhe kreun e Qendrës për Koordinimin e Ndihmave Humanitare për Al Bab, Şenol Esmer, dhe përfaqësuesit e Këshillit Lokal të qytetit Al Bab.

Yılmaz tha se Turqia i ka ndihmuar refugjatët sirianë si në Turqi, ashtu edhe në zonat e çliruara pa llogaritur në përfitime.
"Falënderoj punonjësit e vlefshëm të Anadolu Agency që erdhën si mysafirë tanë nga vende të ndryshme të botës," tha Yılmaz.
Ndërkaq, Esmer tha se terroristët i kishin shkaktuar dëme serioze qytetit dhe banorëve të tij. Megjithatë, ai shtoi se përpjekjet e Turqisë ndihmojnë në rikthimin e jetës normale, arsimit dhe infrastrukturës në qytet.

Ndryshe, të hënën, kryeredaktorët e agjencisë nga e gjithë bota u takuan në Ankara në kuadër të takimit vjetor.
Aktualisht, krahas gjuhës turke, shqipe dhe maqedonase, AA bën publikime edhe në gjuhën angleze, arabe, BHS (boshnjakisht, kroatisht, serbisht), ruse, frënge, kurde, perse, indoneziane dhe spanjolle.
AA publikon mesatarisht 1.650 lajme në ditë, 2.330 fotografi, 400 video, 15 transmetime të drejtpërdrejta dhe gjashtë infografikë.
Agjencia prodhon 63 për qind të fotografive që publikohen në gazetat në Turqi dhe 40 për qind të lajmeve.