Almir Terzic
06 maj 2016•Përditësim: 07 maj 2016
SHKUP (AA) - Në një vizitë zyrtare në Kroaci nga e hëna më 9 maj, deri të mërkurën më 11 maj, me ftesë të presidentes kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç, do të qëndrojë presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, raporton Anadolu Agency (AA).
Vizitën e tij zyrtare në Kroaci, presidenti i Republikës së Shqipërisë do ta fillojë me takimin me komunitetin shqiptar në Kroaci dhe ndarjen e çmimit "Nderi i Kombit" Shoqatës së Veteranëve Shqiptarë të luftës në Kroaci.
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare, të martën, më 10 maj, pas ceremonisë zyrtare të pritjes dhe takimit mes presidentes kroate Grabar-Kitaroviç dhe presidentit Nishani, do të mbahen takime dypalëshe mes delegacioneve zyrtare të Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Shqipërisë, pas së cilës janë paraparë edhe deklarata nga dy presidentët.
Në vazhdim të vizitës zyrtare, Presidenti shqiptar do të takohet me kryeministrin kroat Tihomir Oreshkoviç dhe kryetarin e Parlamentit kroat, akademikun Zheljko Reiner. Të njëjtën ditë, presidenti i Shqipërisë do të vendosë kurorë me lule në Memorialin "Zëri i viktimave kroate - Muri i dhimbjes", në varrezat e qytetit Mirogoj.
Të mërkurën më 11 maj, presidentja kroate Grabar-Kitaroviç dhe presidenti Nishani do t'iu drejtohen biznesmenëve në forumin e biznesit kroato-shqiptar.