Admir Fazlagikj
16 Prill 2016•Përditësim: 17 Prill 2016
SHKUP (AA) - Dita e pestë me radhë është që kur qytetarët duke protestuar shprehin pakënaqësinë e tyre nga vendimi i presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov për abolimin e të gjithë politikanëve ndaj të cilëve janë ngritur hetime, raporton Anadolu Agency (AA).
Edhe protestat e sontme filluan rreth orës 18, kur qytetarët filluan të tubohen para hapësirave të Prokurorisë Speciale Publike (PSP) në qendër të Shkupit, në shenjë mbështetjeje të këtij institucioni.
Më pas, prej aty protestuesit u nisën drejt ndërtesës së Parlamentit, dhe më pas shkuan tek Porta triumfale, të cilën e gjuajtën me ngjyrë, vezë, por nuk ndaloi as shkruarja e grafiteve për t'u nisur drejt godinës së qeverisë.
Në fund të protestës së sontme demonstruesit u nisën në drejtim të selisë së VMRO-DPMNE-së, por kordoni i policisë nuk iu lejoi që të afrohen deri tek ndërtesa e selisë së partisë në pushtet.
“Kërkojmë drejtësi”, Dorëheqje për Ivanovin”, dhe “Nuk ka drejtësi nuk ka paqe”, ishin sloganet me të cilat edhe sonte qytetarët brohoritën duke kërkuar dorëheqjen e Gjorge Ivanovit.
Anulimi i zgjedhjeve të parcaktuara më 5 qershor dhe formimi i qeverisë së ekspertëve, e cila siç thanë demonstruesit, do të krijonte kushte për zgjedhje fer dhe demokratike, ishin kërkesat të cilat ata sonte i parashtruan.
Protesta e sontme në të cilën morën pjesë mijëra qytetarë ishte e qetë dhe nuk pati dhunë, ndërsa organizatat e qytetarëve paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme.