Agim Sulaj
09 Mars 2021•Përditësim: 10 Mars 2021
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se 13 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur në 24 orët e fundit, duke çuar numrin e përgjithshëm të viktimave nga ky virus në 1.668, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) edhe 444 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, derisa numri i tyre ka shkuar në gjithsej 74.079 raste.
Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratoret private janë testuar gjithsej 2.410 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga fillimi deri më tani janë testuar gjithsej 335.123 mostra.
Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 452 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në gjithsej 62.650 raste, kurse numri i rasteve aktive është 9.761.