Elena Teslova
11 Maj 2020•Përditësim: 11 Maj 2020
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se vendi i tij po fillon daljen graduale nga karantina e koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, Putin tha se më 12 maj përfundon periudha kombëtare e mos funksionimit, me disa kufizime duke përfshirë ndalimin për tubime masive dhe respektimin e rregullave sanitare, të tilla si mbajtja e maskave dhe dorezave dhe mbajtja e distancës sociale në vendet publike.
Ndërkohë, Rusia do të dyfishojë testimet për të arritur në 300 mijë në ditë për të diagnostikuar infeksionet në fazat e hershme kur COVID-19 është më pak ngjitës dhe si pasojë të trajtohet më shpejt.
Putin po ashtu udhëzoi qeverinë të zhvillojë masa për rifillimin në faza të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë.
Pavarësisht kufizimeve mjaft të rrepta, të cilat përfshijnë bllokimin e kryeqytetit Moskë, ndalimin e hyrjes së të huajve dhe pezullimin e trafikut ndërkombëtar ajror, Rusia aktualisht është vendi i katërt më i prekur nga koronavirusi për sa i përket numrit të rasteve të zbuluara në vend.
Vendi regjistron mbi 10 mijë raste të reja për çdo ditë tashmë javën e dytë, megjithëse në përqindje rritja po ngadalësohet.
Së fundmi, autoritetet shëndetësore të vendit njoftuan se gjatë 24 orëve të fundit, 11.656 persona të tjerë u testuan pozitiv ndaj koronavirusit, duke e çuar numrin total në 221.334.
Vdekjet nga COVID-19 në Rusi arritën në 2.009, pasi 94 viktima të tjera u regjistruan në 24 orët e fundit.
Rusia ka numrin më të ulët të vdekjeve në 100 mijë banorë krahasuar me fqinjët e saj.
Katër zyrtarë të lartë rusë, përfshirë kryeministrin Mikhail Mishustin, u shtruan në spital me koronavirus të konfirmuar.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të infektuarve me koronavirus ka tejkaluar shifrën 4.1 milionë, me mbi 283 mijë të vdekur dhe rreth 1.4 milionë të shëruar.