Aysu Biçer
11 Maj 2020•Përditësim: 12 Maj 2020
Turqia ka bërë të ditur se do të nisë një program të certifikimit të turizmit gjatë gjithë sezonit të verës 2020, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas Ministrisë turke të Kulturës dhe Turizmit, ky dokument, i cili do të jepet nga institucionet ndërkombëtare të certifikimit, do të tregojë përmbushjen e standardeve të larta të shëndetit dhe higjienës në linjat ajrore, aeroportet, objektet e tjera të transportit, akomodimet dhe vendet e ushqimit.
Ministria turke në njoftim theksoi se vendi synon të inkurajojë të gjithë aktorët në sektorin e turizmit të marrin të gjitha masat për një pushim të shëndetëshëm përmes këtij programi.
"Programi ynë i certifikimit do të sigurojë që mysafirët tanë në Turqi të kalojnë pushimet e tyre në mënyrë të sigurt dhe higjienike, si dhe që të jetë të qetë gjatë vizitës së tyre", tha ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy.
Ersoy tha se programi do të përfshijë hapa parandaluese dhe mbrojtëse, përfshirë në transportin ajror, detar dhe tokësor, në portet e mbërritjes dhe në të gjitha objektet e pushimeve, si dhe gjendjen shëndetësore të punonjësve dhe vetë turistëve.
"Ne do t'i inkurajojmë të gjitha mjetet tona të transportit dhe akomodimit të ndërmarrin të gjitha masat paraprake për një pushim të shëndetshëm përmes marrjes së certifikatës", theksoi Ersoy.
Ai shtoi se ministria po planifikon të fillojë zbatimin e procesit të certifikimit për hotelet që nga muaji maj, me lehtësira të certifikimit që do të listohen online që nga 1 qershori.
Sipas ministrisë, ky program certifikimi do të tregojë se Turqia do të marrë një rol pionier në përcaktimin e drejtimit për normalizimin e turizmit.