Gizem Nisa Çebi Demir
06 gusht 2026•Përditësim: 06 gusht 2026
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan tha sot se sulmet izraelite në Siri janë ndër kërcënimet më të mëdha për stabilitetin e vendit dhe akuzoi Tel Avivin për përshkallëzim të dhunës në të gjithë rajonin, raporton Anadolu.
"Sulmet e Izraelit që synojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë janë ndër kërcënimet më të mëdha për stabilitetin e vendit", tha Fidan, duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun sirian, Asaad Hassan al-Shaibani pas bisedimeve.
Fidan tha se Damasku kontribuoi në ruajtjen e stabilitetit në rajon gjatë gjithë luftës amerikano-izraelite kundër Iranit dhe se mbrojtja e sigurisë dhe stabilitetit të Sirisë është një përgjegjësi e përbashkët e të gjitha vendeve në rajon.
Ai tha se komuniteti ndërkombëtar duhet t'i përgjigjet më fort politikës okupuese të Izraelit dhe të ushtrojë presionin e nevojshëm për të siguruar përputhjen me Marrëveshjen e Shkëputjes të vitit 1974 dhe respektimin e sovranitetit të Sirisë.
Fidan tha se Turqia dhe Siria kanë mbajtur koordinim të ngushtë përmes kontakteve të rregullta midis zyrtarëve dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm ka kontribuar në një stabilitet më të madh në Siri dhe në lidhje më të thella dypalëshe. Ai shprehu shpresën se nga momenti pozitiv do të përfitojnë të dyja vendet dhe rajoni më gjerë.
Ai theksoi se Turqia dhe Siria ndajnë jo vetëm një kufi prej më shumë se 900 kilometrash, por edhe një histori, kulturë dhe të ardhme të përbashkët, duke shtuar se prosperiteti dhe stabiliteti i të dy vendeve nuk mund të shihen veçmas.
Fidan tha se siguria më e fortë në qytetet siriane si Damasku dhe Halepi do të kishte efekte pozitive në qytetet turke, përfshirë Gaziantepin, Mersinin dhe Stambollin ndërsa paqëndrueshmëria kudo në Siri do të përbënte gjithashtu një kërcënim për Turqinë.
Ai tha se Turqia do të thellojë më tej bashkëpunimin dhe koordinimin me Sirinë në luftën kundër terrorizmit, mbrojtjes dhe sigurisë, duke theksuar se përfundimi i procesit të vazhdueshëm të integrimit të Sirisë pa ndërprerje mbetet një prioritet për Ankaranë.
Kryediplomati turk tha se integrimi i të gjitha grupeve dhe formacioneve të armatosura në një strukturë kombëtare qendrore dhe legjitime është thelbësore për unitetin e Sirisë dhe stabilitetin e rajonit.
- Plani i paqes në Gaza
Duke iu referuar marrëveshjes së fundit mbi planin e paqes në Gaza, Fidan tha se sulmet e vazhdueshme të Izraelit "kanë treguar edhe një herë se (kryeministri izraelit Benjamin) Netanyahu nuk dëshiron paqe".
Fidan tha se udhërrëfyesi për fazën e dytë të planit të paqes në Gaza ishte rënë dakord dhe shpallur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, por Izraeli vazhdoi sulmet e tij.
“Ne po shohim se qeveria e Netanyahut ka intensifikuar aktet e saj të terrorit në Bregun Perëndimor dhe Kuds”, shtoi ai.
Fidan mirëpriti deklaratat që tregojnë një rikthim të mundshëm në negociatat midis SHBA-së dhe Iranit, duke shprehur shpresën se një armëpushim do të rivendoset sa më shpejt të jetë e mundur dhe se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet. Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në këto përpjekje, tha ai.
Ai tha se Izraeli synon të sabotojë përpjekjet e paqes dhe të ndajë palestinezët nga Gaza, por shtoi se "Netanyahu nuk do të ketë sukses në këtë politikë" dhe "Gazanët do të vazhdojnë të jetojnë në Gaza dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre atje".
Fidan tha se nuk ka alternativë për të bërë armëpushimin në Gaza të përhershëm, për të avancuar në fazën e dytë të planit të paqes dhe për të nisur procesin e rindërtimit të territorit.
Duke kujtuar një takim ministror për Kudsin të organizuar nga Jordania një ditë më parë, Fidan tha se pjesëmarrësit diskutuan masat kolektive kundër veprimeve izraelite që synonin Xhaminë Al-Aksa, shprehën kundërshtim të fortë ndaj shkeljeve të "status quo"-së historike të vendeve të shenjta muslimane në Kuds dhe riafirmuan mbështetjen për Jordaninë në rolin e saj si kujdestar ligjor i këtyre vendeve.
Ai tha se stabiliteti dhe siguria në Liban mbeten kritike për paqen rajonale, mirëpriti hapat drejt normalizimit dhe zgjerimin e bashkëpunimit midis Sirisë dhe Libanit. Siria, shtoi ministri i jashtëm, po bëhet gjithnjë e më shumë "një burim zgjidhjesh dhe jo problemesh" në rajon.