Sibel Vezaj
17 Shtator 2016•Përditësim: 18 Shtator 2016
PRISHTINË (AA) – Presidentit i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas protestës së studentëve përpara kishës ortodokse në Prishtinë në të cilën vendosën një pankartë ku shënonte “ky objekt që ka uzurpuar hapësirën universitare është ndërtuar në kohën e regjimit, pushtuesit shovinist të Millosheviqit”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Thaçi në rrjetet sociale ka shkruar se ky akt është i papranueshëm, si dhe ka dënuar dhunën e manifestuar në këtë vend.
"Pa marrë parasysh rrethanat dhe kohën në të cilën është ndërtuar cilido objekt, ne nuk guxojmë të lejojmë që të cenohen këto objekte, veçanërisht kur ato i përkasin komuniteteve fetare", ka shkruar Thaçi.
Presidenti gjithashtu në postim ka theksuar rolin e objekteve fetare si dëshmi e tolerancës dhe dialogut ndërfetar në vend.
"Çdo kontest duhet të zgjidhet në mënyrë ligjore, me dialog ndërmjet palëve, e jo me veprime të njëanshme që nxisin urrejtje dhe dhunë", ka theksuar Thaçi.
Gjatë protestës së studentëve kundër kishës serbe ndodhi edhe një përleshje mes studentëve protestues dhe policisë, ku disa prej tyre u arrestuan, ndërsa më pas u liruan.
Objekti i kishës ortodokse "Shën Nikolla" është ndërtuar në qendrën e kryqytetit të Kosovës, në Prishtinë, në kohën e regjimit serb, të Millosheviqit. Ajo ndodhet në kampusin e Universitetit publik të Prishtinës.