Necva Taştan Sevinç
25 nëntor 2026•Përditësim: 25 nëntor 2026
Aplikimet në pritje për lidhjen e qendrave të të dhënave me rrjetin elektrik të Estonisë arrijnë në 3.300 megavat, gati dyfishi i kërkesës maksimale për energji elektrike në vend, sipas operatorit të rrjetit të transmetimit "Elering", transmeton Anadolu.
Operatori ka nënshkruar tashmë marrëveshje lidhjeje për 600 megavat dhe ka oferta të papërfunduara për 1.300 megavat të tjerë, raportoi transmetuesi publik ERR. Shtatë aplikime të paraqitura së fundmi përbëjnë 2.900 megavat të totalit të kërkesave në pritje, megjithëse disa projekte mund të mos realizohen kurrë.
Anëtari i bordit të "Elering"-ut, Reigo Kebja tha se operatori ishte pranë arritjes së kufirit të kapacitetit për të ofruar lidhje të reja. Ai tha se aftësia e rrjetit për të përballuar kërkesën shtesë do të varej nga kapaciteti i linjave të energjisë dhe nënstacioneve si dhe nga vendi ku prodhohet energjia elektrike.
Profesori në Universitetin e Teknologjisë së Talinit, Mart Landsberg paralajmëroi se shtimi i qendrave të të dhënave pa rritur prodhimin vendas të energjisë mund të çojë në rritjen e çmimeve të energjisë elektrike. Ai tha se Estonia mund t'u kërkojë zhvilluesve të projekteve të shtojnë kapacitetet prodhuese për të ndihmuar në përmbushjen e kërkesës së tyre.
Estonia nuk ka një kërkesë të tillë. Ministri i Ekonomisë dhe Industrisë, Erkki Keldo tha se do të diskutonte me zhvilluesit nëse projektet e tyre mund të kontribuonin përmes taksave shtesë ose investimeve në prodhimin vendas të energjisë elektrike.
Pjesa më e madhe e kapacitetit të propozuar është përqendruar pranë linjave të transmetimit të tensionit të lartë në perëndim të Estonisë. Qendra e vetme e madhe e të dhënave që funksionon aktualisht në vend, në Huuru pranë Talinit, ka një konsum prej 2 megavatësh ndërsa planet parashikojnë zgjerimin e saj në 200 megavat deri në fillim të vitit 2028.
Analistët thanë se edhe realizimi i vetëm një pjese të projekteve të propozuara mund të rrisë varësinë nga importet e energjisë elektrike nga Finlanda, nëse prodhimi vendas nuk arrin të ecë me të njëjtin ritëm.