Oliver Towfigh Nia
21 Maj 2026•Përditësim: 21 Maj 2026
Kancelari gjerman, Friedrich Merz po shtyn përpara që Ukraina të marrë një status të ri të veçantë si “anëtare e asociuar” e Bashkimit Evropian (BE), në përgjigje të kërkesës së Kievit për anëtarësim të shpejtë në bllokun evropian, transmeton Anadolu.
Në një letër drejtuar liderëve të BE-së, lideri konservator propozoi integrimin e menjëhershëm dhe më të ngushtë të Ukrainës në institucionet e BE-së. Megjithatë, fillimisht asaj nuk do t’i jepeshin anëtarësim i plotë apo të drejta vote. Merz e justifikoi iniciativën duke përmendur situatën unike të Ukrainës si një vend në luftë dhe përparimin e rëndësishëm të arritur në negociatat për anëtarësim.
Sipas tij, propozimi synon të lehtësojë bisedimet për paqe të nisura nga presidenti amerikan, Donald Trump, ndër të tjera, përmes një angazhimi politik nga vendet anëtare për të zbatuar edhe ndaj Ukrainës klauzolën e ndihmës së ndërsjellë të BE-së.
Sipas letrës, të publikuar nga agjencia gjermane e lajmeve (DPA) nga Brukseli, statusi i veçantë do të dërgonte një sinjal të fortë politik “që Ukraina dhe qytetarët e saj e kanë kaq urgjentisht të nevojshëm në luftën e tyre të vazhdueshme kundër agresionit rus”.
Ndërkohë, Merz beson se anëtarësimi i plotë i Ukrainës në BE në një afat të shpejtë mbetet jorealist. Kancelari gjerman përmendi “pengesa të panumërta” dhe proceset politikisht të vështira të ratifikimit në disa vende anëtare si arsye për këtë.
“Është e qartë se ne nuk mund ta përfundojmë procesin e anëtarësimit në afat të shkurtër”, shkroi ai në letrën drejtuar presidentit të Këshillit të BE-së, Antonio Costa, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentit të administratës greko-qipriote, Nikos Christodoulides, i cili përfaqëson presidencën e Këshillit të BE-së.
- Merz: Nuk do të ketë anëtarësim të lehtë
Për të siguruar që përparimi i shpejtë të vazhdojë, Merz propozoi që BE-ja të negociojë “menjëherë dhe pa vonesë” për të gjitha çështjet që lidhen me anëtarësimin. Ai po ashtu sugjeroi diskutimin e idesë së “anëtarësimit të asociuar”, që mund të jetë një hap vendimtar në rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit të plotë.
“Nuk do të ishte një anëtarësim i lehtë, por do të shkonte shumë përtej Marrëveshjes ekzistuese të Asociimit dhe do ta përshpejtonte më tej procesin e anëtarësimit”, shpjegoi Merz. Sipas vizionit të tij, ky status i veçantë mund të përfshijë pjesëmarrjen e Ukrainës në takimet e Këshillit Evropian dhe të Këshillit të BE-së, por pa të drejtë vote.
Gjithashtu, sipas Merzit, mund të merret në konsideratë edhe një rol si anëtare e asociuar e Komisionit Evropian pa portofol dhe pa të drejtë vote, anëtarë të asociuar të Parlamentit Evropian pa të drejtë vote si dhe një gjyqtar i asociuar në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në formën e një “asistent raportuesi”.
Merz e përshkroi propozimin si një zgjidhje politike që synon ta afrojë Ukrainën “në mënyrë të konsiderueshme me BE-në dhe institucionet kryesore të saj”. Kjo, tha ai, nuk do t’i zëvendësonte negociatat aktuale të anëtarësimit, por përkundrazi do t’i promovonte dhe mbështeste ato.
Nga këndvështrimi i kancelarit, është e rëndësishme që për këtë të mos nevojitet as ratifikimi i një traktati anëtarësimi sipas Nenit 49 të Traktatit të BE-së dhe as ndryshime të traktateve. Në vend të kësaj, ai foli thjesht për “një marrëveshje të fortë politike”.
Merz mbështeti një qasje hap pas hapi kur bëhet fjalë për miratimin e legjislacionit të BE-së dhe qasjen në programet e BE-së. Sipas kësaj qasjeje, Ukraina nuk do të kontribuonte për momentin në buxhetin e BE-së dhe as nuk do të përfitonte prej tij në të njëjtën mënyrë si anëtarët e rregullt. Megjithatë, programet nën menaxhim të drejtpërdrejtë mund të hapeshin gradualisht, duke iu nënshtruar klauzolave mbrojtëse.
- Synimi është një “garanci e konsiderueshme sigurie”
Një pjesë veçanërisht e gjerë e propozimit kishte të bënte me politikën e sigurisë. Kancelari Merz sugjeroi që Ukraina ta harmonizojë plotësisht politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së.
Në të njëjtën kohë, vendet anëtare duhet të marrin një angazhim politik për ta zbatuar ndaj Ukrainës edhe klauzolën e ndihmës së ndërsjellë sipas Nenit 42(7) të Traktatit të BE-së, “me qëllim krijimin e një garancie të konsiderueshme sigurie”.
Si masë mbrojtëse, Merz parashikoi një mekanizëm rezervë ose alternativisht një klauzolë skadimi në rast se Ukraina shkel vlerat themelore të BE-së ose nëse pëson kthim pas në negociatat e anëtarësimit.
Megjithëse kancelari pranoi se propozimi i tij ngre pyetje lidhur me realizueshmërinë politike, teknike dhe ligjore, ai theksoi se këto mund të zgjidhen nëse statusi i veçantë trajtohet në mënyrë konstruktive. “Qëllimi im do të ishte të arrihej një marrëveshje së shpejti dhe të krijohej një grup i posaçëm pune për të hartuar detajet”, shkroi Merz në letër.
Ai tha se pret me interes t’i diskutojë idetë e tij me krerët e shteteve dhe qeverive si dhe me zyrtarët më të lartë të BE-së.