Zülfiya Yakup
22 Dhjetor 2016•Përditësim: 22 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA) - Një pjesë e deputetëve të "Listës Serbe" nga radhët e Lëvizjes së Socialistëve dhe PLS, janë kthyer sot në Kuvendin e Kosovës, pas gati tre muaj të bojkotit të institucioneve qendrore të Kosovës për shkak të ligjit të miratuar për Trepçën dhe për investimet strategjike, raporton Anadolu Agency (AA).
Slavko Simiç, shefi i grupit parlamentar të listës serbe iu drejtua deputetëve me fjalët se nga ky grup parlamentar, për shkak të krizës politike, të mërkurën janë përjashtuar deputetët Nenad Rashiq, kryetari i Partisë Demokratike Progresive dhe Adem Hoxha, përfaqësues i goranëve.
Simiç tha se tani grupi i tyre parlamentar përbëhet nga nëntë anëtarë, edhe pse sot në Kuvend nuk janë paraqitur katër deputetë nga Partia Progresive Serbe, të cilët dje deklaruan se me nënshkrimet e Rashiq dhe Hoxha, në vend të Simiç, për shef të Listës Serbe kanë vendosur Sasha Milosavljeviç.
Ata akuzojnë Simiç se me një grup të vogël të anëtarëve të "Listës Serbe" në takimin e fshehtë me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa janë dakorduar për shkarkimin e Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ljubomir Mariç.
Para deputetëve Simiç tha se kushtet politike për kthimin e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës ende nuk janë plotësuar, dhe është e vështirë të kthehen në institucionet që injorojnë nevojat e komunitetit serb, por kjo është përpjekja e fundit që të shihet demokracia në Kosovë.
Simiç tha se "Lista Serbe" vazhdon fuqishëm të kundërshtojë Ligjin për Trepçën dhe ligjin për investime strategjike, të cilat janë miratuar pa u konsultuar me komunitetin serb. Ai tha se do të ushtrojë presion për të respektuar marrëveshjen e koalicionit dhe marrëveshjen e Brukselit për formimin e komunave serbe.
Simiç tha se presin që kryeministri Isa Mustafa dhe Kadri Veseli, të marrin përgjegjësinë, të cilën e mori edhe kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili sipas tij, me përgjegjësi zbaton dhe respekton të gjitha parimet e marrëveshjes së Brukselit.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë se shteti i Kosovës është i përbashkët dhe se detyrimet janë të përbashkëta. Ai inkurajoi deputetët e tjerë serbë që të kthehen në Kuvend për të punuar së bashku në forcimin e institucioneve dhe shtetit të Kosovës.
Rikujtojmë, në ditët e fundit ka patur shumë grindje brenda "Listës Serbe", ndërsa përfaqësuesit e të gjitha dhjetë komunave të Kosovës me shumicë serbe, kanë hedhur poshtë mundësinë e ndonjë bashkëpunimi dhe komunikimi me ministren e re të Pushtetit Lokal, Mirjana Jevtiç.
Më parë edhe këshillat komunale të Partisë Përparimtare Serbe në Kosovë ndërprenë çdo bashkëpunim me Lëvizjen e Socialistëve në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa një javë më parë shkarkoi ministrin Mariç dhe në vend të tij emëroi Mirjana Jevtiç. Në deklaratën e Qeverisë nuk jepet sqarim për shkarkimin e Mariç, por theksohet se vendimi është marrë në bazë të propozimit në konsultim me "Listën Serbe" në Kuvendin e Kosovës.