İhvan Radoykov
14 Nëntor 2016•Përditësim: 14 Nëntor 2016
SOFJE (AA) – Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, ka paraqitur para parlamentit dorëheqjen e qeverisë pasi partia të cilën e udhëheq, Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë, humbi zgjedhjet presidenciale në raundin e dytë që u mbajt ditën e diel, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kërkesën për dorëheqje nga Borisov theksohet se qeveria aktuale do ta vazhdojë detyrën deri në formimin e qeverisë së re dhe do të mundësojë vazhdimësinë e sistemit administrativ në vend.
Dorëheqja e qeverisë së Borisovit pritet të diskutohet në mbledhjen e parlamentit që do të mbahet të mërkurën.
Nga ana tjetër, sipas kushtetutës së Bullgarisë, presidenti i shtetit Rosen Plevneliev, mandati i të cilit do të skadojë më 22 janar, nuk mund ta shpërbëjë parlamentin dhe të caktojë datë për zgjedhje në tre muajt e fundit të mandatit.
Plevneliev më herët kishte theksuar se do të japë përpjekje për krijimin e një qeveria të re brenda këtij parlamenti.
Ndërkaq, liderët e partive të tjera në parlament kishin njoftuar se do të preferonin zgjedhje të parakohshme.
Në këtë situate, vendimi për zgjedhjet e parakohshme pritet të merret pas 22 janarit, pasi detyrën e presidentit ta marrë kryetari i ri Rumen Radev nga Partia Socialiste e Bullgarisë, i cili u zgjodh ditën e djeshme.
Sipas vëzhguesve politikë në vend, zgjedhjet e parakohshme në Bullgari mund të mbahen në muajin mars ose prill.