Ahmet Gençtürk,
18 Gusht 2022•Përditësim: 22 Gusht 2022
Ka hyrë në fuqi ndalimi i vizave për turistët rusë në Estoni, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shtetasit rusë që mbajnë viza Shengen të lëshuara nga Estonia për qëllime turizmi, biznesi, sporti ose kulturore, nuk do të lejohen të kalojnë kufirin e vendit baltik, njoftoi transmetuesi publik ERR.
Rusët, viza e të cilëve është lëshuar nga një anëtar tjetër i zonës Shengen ose që ishin tashmë në zonën Shengen, do të jenë ende në gjendje të hyjnë në Estoni, vend i cili ndan një kufi me Rusinë.
Disa përjashtime nga masa përfshijnë diplomatët rusë që punojnë në Estoni dhe familjet e tyre, individët e lejuar të hyjnë në bazë të ligjit të BE-së, personelin që punon në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve dhe njerëzit që Estonia i konsideron të kualifikuar për viza për arsye humanitare.
Përjashtohen gjithashtu shtetasit rusë që kërkojnë të vizitojnë të afërmit e ngushtë që banojnë në Estoni si banorë afatgjatë ose qytetarë.
Ministri i Brendshëm Lauri Laanemets tha se ndalimi u vendos për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.