16 nëntor 2018•Përditësim: 17 nëntor 2018
ANKARA (AA) - ABDOULAYE IBRAHIM BACHIR
Në Kigali, kryeqytetin e shtetit lindor të Afrikës, Ruandë, do të ndërtohet qyteti i parë teknologjik i Afrikës duke u frymëzuar nga Lugina e Silikonit, qendra e prodhimit dhe zhvillimit të teknologjisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), shkruan Anadolu Agency (AA).
Qyteti i Inovacionit Kigali (KIC) që do të ndërtohet nga Ruanda në bashkëpunim me Africa50, platforma e zhvillimit të infrastrukturës së Bankës Afrikane të Zhvillimit (BAD), parashikohet që të kushtojë rreth 2 miliardë dollarë.
BAD njoftoi se do të investojë 400 milionë dollarë për projektin KIC nëpërmjet Africa50 me synimin e mbështetjes së qyteteve të teknologjisë dhe ekosistemin e inovacionit në Afrikë.
Sipas Africa50 me KIC është synuar eksport i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në vlerë prej mesatarisht në bazë vjetore 150 milionë dollarë, si dhe 300 milionë dollarë investime të huaja direkte.
Në qytetin e inovacionit që do të ndërtohet në një tokë prej 70 hektarësh në Zonën e Posaçme Ekonomike në Kigali, do të veprojnë universitete, kompani teknologjike, kompani bioteknologjike dhe qendra tregtare me përmasa botërore.
Theksohet se nga universitetet që do të formohen në këtë qytet, çdo vit do të diplomohen 2.600 studentë që dominojnë teknologjinë.
Kryeministri i Ruandës, Edouard Ngirente, në një deklaratë tha se projekti KIC, është pjesë e Vizioni 2020 i Ruandës dhe Strategjisë Kombëtare të Transformimit 2017-2024.
Ai theksoi se projekti në bazë vjetore do të sigurojë punësim për 50 mijë persona. "Kjo përpjekje e inovacionit, do të jetë e para në kontinentin afrikan. Do të japë kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e Afrikës dhe zhvillimin e burimeve njerzore", u shpreh ai.
Ruanda më parë kishte themeluar një platformë e tregtisë elektronike në bashkëpunim me ueb faqen kineze të e-tregtisë, Alibaba, që përfshin shtetet e Afrikës.