Hüseyin Burak Demirer
15 Tetor 2020•Përditësim: 15 Tetor 2020
Ndeshjet në futboll në Argjentinë do të vazhdojnë më 30 tetor pas një pauze prej shtatë muajsh për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Federata e Futbollit të Argjentinës (FFA) njoftoi se gara e ligës së parë elitare do të fillojë më 30 tetor, ndërsa ndeshjet e ligës së dytë do të fillojnë shtatë ditë më vonë.
Ndeshjet e ligës së ulët në Argjentinë do të fillojnë më 21 nëntor.
Në njoftim po ashtu theksohet se të gjitha ndeshjet do të organizohen në përputhje me masat epidemiologjike dhe pa spektatorë në tribuna.
Koronavirusi u shfaq në fund të vitit të kaluar në qytetin kinez Wuhan, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) më 11 mars të këtij viti shpalli virusin pandemi globale.
Përhapja e koronavirusit shkaktoi çrregullim në të gjitha sferat, përfshirë edhe në sport, pasi në nivel global u vendos anulimi ose shtyrja e ndeshjeve.