Kemal Zorlak
26 nëntor 2022•Përditësim: 27 nëntor 2022
Kombëtarja e Australisë në futboll ka mundur 1:0 Tunizinë në xhiron e dytë të Grupit "D" të Kupës së Botës "Katar 2022", raporton Anadolu Agency (AA).
Një lojë paksa më e mirë e Australisë në pjesën e parë të ndeshjes së luajtur në stadiumin "Al Janoub" në qytetin Al-Wakrah doli të jetë vendimtare. Australia kaloi në epërsi me 1:0 në minutën e 23-të të ndeshjes, kur Mitchell Duke me mjeshtëri e dërgoi topin me kokë në rrjetën e portierit tunizian Aymen Dahmen.
Në vijim, Tunizia pati mundësinë të barazonte disa herë rezultatin, fillimisht në minutën e 41-të, e më pas në fundin e pjesës së parë, por kapiteni Youssef Msakni nuk ia doli.
Të dyja kombëtaret në vazhdim patën mundësinë për të shënuar gol, por asnjëra nuk ia doli. Në 15 minutat e fundit të ndeshjes pati presion të fortë nga tunizianët, loja ishte praktikisht në gjysmën e australianëve, por mbrojtja ishte në nivel të lartë, ndaj nuk pati ndryshim në rezultat. Australia fitoi tre pikë me një fitore të ngushtë 1:0.
Pas takimit të parë të xhiros së dytë në Grupin "D", Franca është në krye të tabelës me tre pikë, aq sa ka edhe Australia në vendin e dytë. Danimarka është e treta me një pikë, po aq sa Tunizia e cila është e fundit.
Gjatë ditës do të zhvillohet ndeshja e dytë në Grupin "D" mes Francës dhe Danimarkës, ndërsa sot do të zhvillohen dy ndeshje në Grupin "C" në të cilat do të përballen Arabia Saudite me Poloninë dhe Argjentina me Meksikën.