Emre Aşıkçı
18 Korrik 2022•Përditësim: 18 Korrik 2022
Ekipet e Ajax-it dhe Manchester United-it kanë arritur marrëveshje për transferimin e Lisandro Martinez, konfirmoi të dielën skuadra holandeze e futbollit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Transferimi është ende subjekt i një ekzaminimi mjekësor dhe marrëveshjes kontraktuale të të dy klubeve me lojtarin. Mbrojtësi është ende nën kontratë me Ajax-in deri më 30 qershor të vitit 2025", theksoi skuadra e Ajax-it në një deklaratë.
Klubi shtoi se kanë rënë dakord për një tarifë transferimi prej 57,37 milionë euro me Djajtë e Kuq dhe se shuma mund të rritet në 67,37 milionë euro përmes variablave.
Martinez, 24-vjeçar, mori pjesë në 120 ndeshje zyrtare në ekipin e parë të Ajax-it, duke shënuar gjashtë gola dhe gjashtë asistime.
Mbrojtësi argjentinas ndihmoi Ajax-in të fitonte titujt e Eredivisie (2021, 2022) dhe Kupën e Holandës në vitin 2021.