Enes Kaplan
23 Janar 2019•Përditësim: 23 Janar 2019
ANKARA (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, sot në Moskë do të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin, që do të jetë takimi i parë kokë më kokë në vitin 2019, raporton Anadolu Agency (AA).
Është planifikuar edhe takim delegacionesh, në të cilin do të marrin pjesë ministra dhe zyrtarë kompetentë të të dyja vendeve.
Dy liderët do të bisedojnë për marrëdhëniet bilaterale, çështjet globale dhe rajonale, në mesin e të cilave është edhe situata në Siri.
Javën e kaluar gazeta e shquar ruse "Kommersant" publikoi një artikull të shkruar nga presidenti Erdoğan, ku fliste për bashkëpunimin turko-rus sidomos kur bëhet fjalë për zgjidhjen e krizës siriane dhe luftën kundër terrorizmit.
- Në vitin 2018 biseduan 25 herë
Sipas të dhënave të AA-së, në vitin 2018 Erdoğan dhe Putin 25 herë kanë biseduar për temat aktuale, në mesin e të cilave edhe për situatën në Siri. Që prej atëherë, shtatë herë janë takuar kokë më kokë, ndërsa 18 herë kanë biseduar me telefon.
Të dy liderët kanë pasur rastin të bisedojnë edhe gjatë ceremonisë së shënimit të 100 vjetorit të përfundit të Luftës së Parë Botërore të organizuar në Paris.
Në vitin 2018, Erdoğan dhe Putin gjashtë herë u takuan në samite. Për herë të parë në samitin trilateral më 4 prill të vitit 2018 në Ankara, më pas më 7 shtator në samitin trilateral në Teheran, më 26 korrik në samitin Brazil-Rusi-Indi-Kinë-Afrika e Jugut (BRICS) në Johannesburg, më 17 shtator në samitin në Soçi, më 27 tetor në samitin Turqi-Rusi-Francë-Gjermani në Stamboll dhe më 1 dhjetor në samitin e liderëve të G20-tës në Argjentinë.
- Blerja e sistemit mbrojtës S-400
Të dy liderët në vitin 2018 biseduan për energjetikën, ndërsa më 3 prill vendosën themelet e centralit bërthamor Akkuy në Mersin, që është projekti i parë turk i këtij lloji. Erdoğan dhe Putin në ceremoni morën pjesë përmes video-konferencës.
Vitin e kaluar është realizuar përparim i konsiderueshëm lidhur me blerjen e sistemit mbrojtës S-400, që është një nga llojet më të rëndësishme të bashkëpunimit të Turqisë dhe Rusisë gjatë kohëve të fundit.
Vendimi i Turqisë për të blerë dy sisteme të mbrojtjes S-400 nga Rusia me vlerë 2.5 miliardë dollarë, rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjes më 29 dhjetor të vitit 2017.
Kjo çoi në një kundërshtim të fortë nga SHBA-të duke kërkuar të heqin dorë nga blerja.
Më 3 prill të vitit 2018, gjatë vizitës së presidentit rus në Turqi, ai tha se në takimin me presidentin turk është marrë vendim për shkurtimin e afatit për dërgesën e sistemit S-400.
Takimi i dy presidentëve do të vazhdojë edhe pas takimit të sotëm në Moskë. Në periudhën e ardhshme do të mbahet një takim i ri trepalësh Turqi-Rusi-Iran, në të cilin do të marrin pjesë presidentët e dy vendeve.
Përveç kësaj, kryediplomati turk, Mevlüt Çavuşoğlu dhe homologu i tij rus, Sergey Lavrov, dje folën në telefon, por detajet e bisedës nuk u shpalosën.